Votimet në shkollën “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë
Një ndër shkollat me numrin më të madh të votuesve me të drejtë vote është shkolla fillore “Arkitekt Sinani” në komunën e Mitrovicës. Mbi 12.000 votues është numri i tyre që pritet të votojnë gjatë ditës së sotme.
Menaxher i kësaj shkolle, Sami Rama tregoi se deri më tani nuk ka parregullsi dhe gjithçka sipas tij po shkon mirë.
Rama: Deri më tash nuk ka pasur asnjë problem
“Ecuria e procesit zgjedhor është duke shkuar normal pa telashe. Procesi zgjedhor ka filluar me kohë, materiali ka ardhur me kohë dhe të gjithë përfaqësuesit kanë qenë me kohë në vendin e vet. Për momentin numri i qytetarëve është duke u rritur dhe pritet të votojnë me numër më të madh. Deri më tash nuk ka pasur asnjë problem”, ka deklaruar ai.
Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.
Voton edhe kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku
Kandidati i LDK’së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka votuar.
Ai ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tyre.
Abdixhiku i ka ftuar qytetarët që të dalin “masivisht” në zgjedhje.
“Në këtë ditë të shenjtë të demokracisë vota e qytetarëve të jetë ditë e demokracisë ftojë të gjithë qytetarët të votojnë të vendosin për katër vitet e ardhshme të Kosovës. Është ditë feste dita e zgjedhjes është gjithmonë festë”, ka thënë Abdixhiku.
Voton Albin Kurti: Bëjeni zërin tuaj të dëgjohet në 4 vitet e ardhshme
Kryeministri aktual, Albin Kurti, që sërish është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, ka votuar për zgjedhjet parlamentare në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Ai inkurajoi çdo qytetar të Kosovës që të ushtrojë të drejtën demokratike të votës për të bërë zërin e tyre të dëgjohet në 4 vitet e ardhshme.
“Ushtrojeni të drejtën tuaj demokratike për ta bërë zërin tuaj që të dëgjohet. Përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për katër vjetët e ardhshëm”, tha Kurti.
Kandidatët e tjerë për kryeministër në këto zgjedhje janë: Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
28 subjekte politike me 1.280 kandidatë, konkurrojnë për mbështetjen e rreth dy milionë votuesve për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës në zgjedhjet e sotme parlamentare. Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike.
Mbi 940 qendra votimi do të jenë të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës do t’u bashkohen vëzhguesve të tjerë vendas e ndërkombëtarë që do të ndjekin nga afër procesin e votimeve.
Bedri Hamza voton
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka votuar në Mitrovicë.
Ai votoi në qendrën e votimit në “Andon Zako”.
Bashkë me Hamzën, ishte edhe bashkëshortja e tij.
Procesi i votimit në Gjakovë po shkon mirë
Në Gjakovë procesi i votimit po shkon sipas planit. Janë hapur të gjitha qendrat e votimit në ora 07:00, ndërsa qytetarët po e shfrytëzojnë të drejtën e votës.
Sipas vëzhguesve të DnV -së, deri në këto momente nuk ka pasur asnjë incident.
Në Gjakovë qytetarët mund ta ushtojnë të drejtën e votës në 37 qendra të votimit me 147 vendvotime.
Të drejtën e votës e kane 118 mijë e 237 persona.
BE: 104 vëzhgues në terren për t’i mbikëqyrur zgjedhjet në Kosovë
Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, ka thënë të dielën se 104 vëzhgues janë në terren, në kuadër të misionit, duke mbikëqyrur procesin zgjedhor në Kosovë.
“Duam të sigurohemi që të gjithë votuesit mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre”, ka thënë ajo para mediave.
Ajo ka thënë se është shumë herët të thuhet diçka për procesin, dhe ka paralajmëruar konferencë për të martën, për të përmbledhur gjithë procesin.
Voton Ramush Haradinaj – dy fëmijët e tij hodhën votën për herë të parë
Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka votuar me bashkëshortën e tij, Anitën, në shkollën “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Pas votimit, ai tregoi para mediave se sot për herë të parë votuan edhe dy fëmijët e tij, Hana dhe Gjini.
“Procesi ka filluar mirë, në përjashtim të votave me kusht me disa vonesa. Hana dhe Gjini votojnë për herë të parë. Nëna Rukë ka votuar në Gllogjan”.
“Dilni të votoni. Kosova ka nevojë për votën tuaj. Na priftë e mbara”, ka thënë Haradinaj.
E kërcënoi se do t’ia largonte vajzën nga puna nëse s’e voton një subjekt politik në veri, policia del me detaje
Policia e Kosovës ka njoftuar se dje është arrestuar një person në Mitrovicë të Veriut nën dyshimin për shantazhim.
Sipas njoftimit të Policisë thuhet, se i dyshuari i kishte thënë ankuesit që nëse nuk e voton një subjekt të caktuar politik do ta largojë nga puna vajzën e ankuesit.
Njoftimi i plotë:
Sheshi Car Llazar, Mitrovicë Veri / 08.02.2025 – NN. Është arrestuar i dyshuari/k, se i njëjti i kishte thënë ankuesit/k se nëse nuk e voton një subjekt të caktuar politik do ta largojë nga puna vajzën e ankuesit. Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar një llap-top dhe dy telefona. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Prokuroria në Mitrovicë ndalon 5 të dyshuar për “cenim të përcaktimit të lirë të votuesve”
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, ndërsa në rastin e parë një person, të dyshuar për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
“Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
Në njoftim thuhet se prokurorët e Shtetit, të cilët po kujdestarojnë sot, do të veprojnë me urgjencë në secilin rast që mund të paraqitet me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme gjatë këtij procesi zgjedhor.
“Prokurori i Shtetit sërish i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.”
Raportohet se një person në Gjilan ka tentuar të fotografojë votën, ndalohet nga policia
Një person ka tentuar të fotografojë votën në një qendër votimi në Gjilan.
Siç raportoi media, i njëjti është ndaluar nga policia dhe më pas i është lejuar të votojë.
Qytetarët e Kosovës sot do të votojnë në zgjedhjet parlamentare, nga ku do të zgjedhin 120 ligjvënës mes 28 subjekteve politike në garë, zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.