LIVE: Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë, këto janë votat për partitë e tjera - Nis numërimi i votave për deputetë

Aktuale

LIVE: Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë, këto janë votat për partitë e tjera - Nis numërimi i votave për deputetë

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 15:28 më 09.02.2025
Kutitë e votimit

Një grua në Zveçan ndalohet për fotografim të votës

Një grua e nacionalitetit serb u ndalua për fotografimin e fletëvotimit në një vendvotim në qendrën 2091 në Zveçan - pjesa veriore e Kosovës.

Pas raportimit të ngjarjes nga një anëtare e komisionit të qendrës së votimit, ajo u dërgua në stacion policor, edhe pse tha se e ka fshirë fotografinë./REL

Rreth 27% dalja e votuesve në Kosovë deri në orën 15:00

Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet parlamentare - të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Pjesëmarrja në zgjedhje deri rreth orës 15:00 ishte mbi 27%, sipas KQZ-së./REL

Votojnë pacientët e QKUK-së, tregojnë se çfarë presin nga këto zgjedhje

Pacientët të cilët trajtohen në Qendrën Klinike Universitare kanë pasur mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Në pamundësi që t'i drejtohen kutive të votimit, të shtrirë në klinikat e QKUK-së ata kanë votuar me shpresën se nga këto zgjedhje do të ketë ndryshime në shëndetësi, ekonomi e arsim.

Pacientët të cilët trajtohen në Qendrën Klinike Universitare kanë pasur mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Në pamundësi që t'i drejtohen kutive të votimit, të shtrirë në klinikat e QKUK-së ata kanë votuar me shpresën se nga këto zgjedhje do të ketë ndryshime në shëndetësi, ekonomi e arsim.

81-vjeçari, Sani Gjini i cili po trajtohet tash e disa ditë në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale e ka shumë të rëndësishme votën.

Me asistimin e ekipit mobil, ai ka votuar teksa ka thënë se pret që në katër vitet e ardhshme të përmirësohet jetesa.

Gjini: Ka shku mirë, por hala më mirë mundet

"Shpresoj që ndryshime, se deri këtu jo fort, në përgjithësi. InshAllah përmirësohet hala ma mirë. Ka shku mirë, por hala më mirë mundet.. Ndryshime në shëndetësi, arsim e ekonomi në përgjithësi se ato e mbajnë shtetin, në ushtri e krejt”, ka thënë Gjini.

Edhe Petrit Haliti, i cili nga e premtja qëndron në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale pret ndryshime nga këto zgjedhje.

Haliti: Do të doja me qenë kushtet më të mira për ne që jemi si pacientë

"Do të doja që prej këtyre zgjedhjeve me dashtë Zoti me fitu edhe me qenë kushtet më të mira për ne që jemi si pacientë... Me ndryshu për ma mirë, mirë është por mundet ma mirë", shprehet ai.

Luan Buqezi nga Prishtina, tregon se para disa ditëve ka bërë kërkesën që t'i mundësohet vota.

Buqezi: Prej këtyre zgjedhjeve pres vetëm të mira për popullin

"Për mua është shumë e rëndësishme qe ëndrra e shqiptarëve të realizohet... Prej këtyre zgjedhjeve pres vetëm të mira për popullin dhe sa më shumë kundër armikut me lobu dhe me luftu", tha ai.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

Ambasadori Westerlund viziton Qendrën e Votimit 2002 në Prizren

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, në shoqëri të bashkëpunëtorëve ka vizituar Qendrën e Votimit 2002 në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” në Prizren.

Gjatë kësaj vizite ai është informuar mbi rrjedhën e procesit zgjedhor nga anëtarët e vendvotimeve në këtë Qendër të Votimit.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian, të cilët vijnë nga 18 shtete të ndryshme të unionit, me qëllim të “ruajtjes së standardeve demokratike”, me ftesë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Image
Westerlund viziton Qendrën e Votimit 2002 në Prizren

Sipas KQZ-së në Komunën e Prizrenit, të drejtë vote kanë 182,939 votues dhe deri në ora 11:00 kanë votuar 10,019 votues ose 5.48%.

Deri në orën 12:00 u raportuan raste të izoluara të fotografimit të votës në 4 përqind të vendvotimeve

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim është shprehur se fenomeni i fotografimit të votës është më i vogël se në proceset e kaluara zgjedhore, por megjithatë është ende prezent.

Ai është shprehur se deri në ora 12:00, ka pasur raste të izoluara të fotografimit të votës në 4 për qind të vendvotimeve në nivel vendi.

“Sa i përketë fotografimit të votës, edhe pse fenomen në përmasa dukshëm më të vogla sesa në proceset e kaluara zgjedhore, ky fenomen është ende prezent në këto zgjedhje”.

“Deri në 12:00 kemi pasur raste të izoluara të fotografimit të votës në 4 për qind të vendvotimeve në nivel vendi”, është shprehur tutje ai.

Zgjedhjet parlamentare, kaq qytetarë kanë votuar deri tani në komunat veriore

Po vazhdon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, ku qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, procesi po vazhdon normalisht dhe pa ndonjë pengesë.

KQZ njoftoi më herët se deri në ora 11:00, kanë votuar 169 mijë e 435 votues, apo 8.6 përqind e votuesve.

Po ashtu, në faqen zyrtare të KQZ-së janë publikuar edhe të dhënat për komuna, ku më poshtë gjeni disa të dhëna për komunat veriore.

Deri tani, në Leposaviq kanë votuar 1,600 votues, ndërsa të drejtë vote kanë 13,876.

Image
Leposaviq

Në Zubin Potok, kanë votuar 508 qytetarë, kurse të drejtë vote kanë 6,843.

Në Zveçan kanë votuar 1,291 qytetarë,  kurse të drejtë vote kanë 7,203.

Image
Zveçan

Në Mitrovicë të veriut kanë votuar 225 qytetarë, ku të drejtë vote kanë 18,781 qytetarë.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në ora 19:00.

Çfarë dimë deri më tani?

Kutitë e votimit janë hapur në orën 7:00. Deri në orën 11:00 kanë dalë 8:58 për qind e qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e votës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se procesi është duke u zhvilluar qetë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident të madh.

Ka pasur raportime për vonesa në hapjen e disa vendvotimeve dhe shqetësime për shënjimin e gishtërinjve me ngjyrë matrikuluese, por KQZ-ja nuk i ka adresuar këto çështje.

Katër kandidatët për kryeministër – Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj – e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës dhe u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të veprojnë njëjtë.

Thirrje të ngjashme ka bërë edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

Në këto zgjedhje po marrin pjesë edhe serbët lokalë, ndonëse kishin bojkotuar zgjedhjet prej nëntorit të vitit 2022, kur Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – pati dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Një pjesë e serbëve që financohen nga shteti i Serbisë, kanë votuar kolektivisht në një qendër votimi në Mitrovicë të Veriut.

Zgjedhjet janë duke u mbikëqyrur nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV) dhe vëzhgues të angazhuar nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë./REL

Problemet në procesin zgjedhor/Flet Berisha

Udhëheqës i Departamentit të Hulumtimeve në organizatën joqeveritare “Avonet”, Shefki Berisha, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur për procesin zgjedhor që po mbahet sot.

Ai është shprehur se ka raportime për probleme të shumta në Ferizaj.

“Nëpër qendrat e votimit në komunën e Ferizajt ka probleme të theksuara në procesin e votimit. Kur jemi te zonat urbane, aty ka shumë probleme. Raportohen probleme nga qytetarët lidhur me ndryshimin e qendrës së votimit. Nga zgjedhjet e kaluara ka pasur shumë ndryshime të qendrave të votimit, gjë që po shkakton konfuzion te qytetarët dhe po shkakton radhë të gjata pritjeje,” ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka folur edhe për problemet që po hasen në vendet rurale të Ferizajit.

“Ndërsa, kjo po shoqërohet me mungesën e tavolinave ndihmëse nga ana e KQZ-së, që janë në mungesë në të gjitha qendrat e votimit në komunën e Ferizajt. Ndërsa, nëse shikojmë nga ana tjetër, qendrat e votimit në zonat rurale janë më të organizuara në këtë aspekt, gjithashtu as ato nuk disponojnë tavolina ndihmëse të cilat do t’i orientonin qytetarët lidhur me çdo paqartësi në procesin e votimit”, ka thënë Berisha për "Bota sot".

KQZ nis verifikimin e votave përmes postës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nis verifikimin e votave përmes postës.

Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve.

Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë.

KQZ gjatë ditës ka filluar edhe procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës që deri me tani kanë arritur në KQZ. Qëllimi i verifikimi është për të parë nëse pakot me fletëvotime janë dërguar nga votues të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës.

Të dhënat e KQZ-së: Cilat qytete të Kosovës votuan më pak deri në orën 11:00?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat e pjesëmarrjes së qytetarëve në votimet e sotme për zgjedhjet parlamentare.

Sipas të dhënave të KQZ-së deri në orën 11:00 në votime dolën 169 mijë e 435 ose në përqindje 8.60.

E komunat që patën më së paku votues janë si më poshtë:

Në Junik votuan 198 qytetarë;

Në Zubin Potok votuan 508 qytetarë;

Në Han të Elezit votuan 865 votues;

Në Zveçan votuan 1 mijë e 291 qytetarë;

Në Shtërpcë votuan 1 mijë e 430 qytetarë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat