Përfundon procesi i votimeve për zgjedhjet parlamentare në Kosovë
Në orën 19 përfunduan zgjedhjet parlamentare në të cilat njëzetetetë subjekte politike me 1.280 kandidatë, garuan për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës.
Mijëra vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve mbi 100 të dërguar nga Bashkimi Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës ndoqën procesin në mbi 940 qendra votimi që qëndruan të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00.
Rreth 40 për qind e rreth dy milion votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre në këto zgjedhje që pasuan një fushatë të rreptë të partive politike, të cilat për një muaj me radhë u zotuan për rritje pagash e pensionesh, përmirësim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe për të luftuar papunësinë në vendin më të varfër në Evropë.
Zgjedhjet e sotme, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, u panë si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe u vu në përpjekje për një mandat tjetër.
Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.
Votimet e sotme do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë Kosovën në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga fuqitë perëndimore për veprimet qeverisë së tij në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë në fuqi masa ndëshkuese ndaj Kosovës që nga qershori i vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri. Por, bisedimet me Serbinë nuk gjetën shumë vend në fushatën para zgjedhjeve.
Dhjetë nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb, dhjetë të tjera për komuniteteve tjera pakicë. Rreth 100 mijë qytetarë serbë me të drejtë vote patën mundësinë të zgjedhin mes gashtë partive politike nga radhët e këtij komuniteti.
Analistët serbë thanë se në këto zgjedhje pati një pluralizëm më të madh demokratik.
Partitë opozitare kritikuan qeverinë Kurti për marrëdhëniet me aleatët posaçërisht me Shtetet e Bashkuara, të cilat gjatë administratës së ish Presidentit Joe Biden, tërhoqën vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kishin ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe paralajmëruan Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Çështja e këtyre marrëdhënieve u bë objekt diskutimesh këto ditë pas dy postimeve në rrjetin social X nga i dërguari i Presidentit Trump për misione të posaçme Richard Grenell, i cili në administratën e parë ishte i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi. Sipas tij marrëdhëniet janë në pikën më të ulët, ndonëse qeveria e Kosovës ngulë këmbë se janë shumë të mira.