Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka ushtruar të drejtën e tij për votë në zgjedhjet parlamentare që po mbahen në Kosovë. Radoniqi është personi i parë i cili voton dhe hap këtë proces zgjedhor, të parin të rregullt që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Derisa, Radoniqi ka votuar në Qendrën e Votimit “Lidhja e Prizrenit” në Pejë bëri thirrje për proces zgjedhor të qetë dhe demokratik. Teksa ftoi qytetarët të votojnë kryesuesi i KQZ-së u shpreh se i gjithë materiali sensitiv dhe jo sensitiv është shpërndarë me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit.
Ai ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote të dalin sot të votojnë.
Radoniqi: Ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vite të dalin sot të votojnë
“Sot është dita e zgjedhjeve, ditë për të cilën KQZ-ja është angazhuar gjashtë muajt e fundit në organizimin e këtyre zgjedhjeve, duke tejkaluar shumë sfida dhe tani gjithçka është gati. Siç e shihni në këtë qendër të votimit veç puna ka filluar në 7:00 në mëngjes, dhe besoj që në të gjitha komunat tjera vendvotimet janë hapur. Sa i përket procesit ftoj gjithë qytetarët me të drejtë vote të dalin sot të votojnë. Po ashtu ftoj të gjithë akterët tjerë në këtë ditë zgjedhore të respektojnë të gjitha ligjet, rregullat zgjedhore për një proces të qetë dhe demokratik. Dje është votuar në diasporë, procesi ka shkuar për së mbari, pa asnjë problem, të gjithë të interesuarit për të votuarit kanë votuar. Tani i kemi të dhënat edhe për Amerikë dhe Kanada, diku rreth mbi 15 mijë persona kanë votuar në diasporë në përfaqësi diplomatike, pa numëruara edhe votimet përmes postes. Për sot çdo gjë është gati, KQZ është në detyrë dhe shpresojmë për një ditë festive për ditën e zgjedhjeve”, tha Radoniqi.
Ndërsa, ka dhënë më shumë detaje sa i përket votave të diasporës.
Radoniqi: Më së largu të enjten do t’i kemi të gjitha votat në Kosovë nga diaspora
“Të gjitha votat në kohë nuk kanë arritur, por koha ende nuk ka përfunduar. Të gjithë qytetarët më të drejtë jashtë vendit që do të votojnë poste kanë pas të drejtë të votojnë edhe dje, votat e dorëzuara në adresat e KQZ-së jashtë vendit që janë dorëzuar dje do të tërhiqen më së largu të hënën në ora 16:00. Të gjitha ato do të transportohen në Kosovë përmes postes diplomatike dhe rrugëve tokësore për të cilat jemi angazhuar përmes Ministrisë Punës së Jashtme t’i sjellim në Kosovë. Pra, kur do të vinë ato nuk mund të them saktësisht, por besoj se rreth të mërkurës, maksimum të enjten do t’i kemi të gjitha votat në Kosovë”, ka shtuar Radoniqi.
Ai foli edhe për dyshimet me votat me postë. Sipas tij, përveç Kroacisë që nuk ka respektuar procedura, të tjerat shtete kanë qenë në rregull.
Radoniqi për votat në Kroaci: Do të ketë rekomandim nga sekretariati
“Tjetër përveç Kroacisë unë nuk kam njohuri që ka diçka, ato të Kroacisë e vetmja çështje që ka shkuar, nuk janë respektuar procedurat, është vëzhguesit nuk kanë qenë prezent. Bëhet fjalë për dikur rreth 30 vota. Personat të cilat i kanë tërhequr ato vota janë të autorizuar nga KQZ-ja, të gjithë stafi diplomatik në vendet ku kemi hapur adresa, janë zyrtarë të autorizuar nga KQZ dhe ata i kanë tërhequr, por një gabim është bërë që nuk janë njoftuar vëzhguesit. Lidhur me këto vota do të ketë rekomandim nga sekretariati dhe në bazë tij do të marrim vendim në KQZ”, nënvizoi Radoniqi.
I pyetur lidhur me një numër të madh të votave që dyshohet se janë fotografuar, ai ka thënë se për këtë çështje do të marrin përgjigje nga prokuroria.
Radoniqi: Për këtë çështje do të marrim një përgjigje edhe nga prokuroria
“Për këtë çështje do të marrim një përgjigje edhe nga prokuroria lidhur me hetimet e tyre varësisht prej hetimeve dhe të gjeturave ne do të veprojmë”, tha ai.
Ndërsa lidhur me problemet që kishin me furnizimin me ngjyrë për procesin e votimit, Radoniqi tha se kompania përkatëse ka siguruar markera të rregullt pas atyre me ngjyrë që është fshirë.