Për mbrojtje të votës së lirë, 100 prokurorë të angazhuar

Aktuale

Për mbrojtje të votës së lirë, 100 prokurorë të angazhuar

Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 08:38
Foto ilustrim

Prokuroria e Shtetit ka angazhuar 100 prokurorë të cilët do të jenë në krye të detyrës gjatë ditës së sotme gjersa po zhvillohet procesi zgjedhor për zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që po mbahen sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës. Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor,  me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme”, thuhet në njoftimin nga ky institucion.

Kanë treguar se prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.

Ndërkaq, siç bëhet e ditur, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula do ta mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.

“Prokurorii Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat