Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme.
Drejtori ekzekutiv i DnV-së Ismet Kryeziu, nga kjo organizatë tha se vëzhguesit e këtij koalicioni gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesin e votimit e deri tek përfundimi i procesit të numërimit të votave të subjekteve politike.
Të drejtë vote për zgjedhjet brenda Kosovës kanë 1 milion e 970 mijë e 944 votues, prej tyre 125 mijë e 852 votues të rinj.
“Pas procesit të votimit që u zhvillua dje në 19 misionet diplomatike të Kosovës, e ku votuesit që jetojnë jashtë kishin për herë të parë mundësinë që të votojnë fizikisht për herë të parë nëpër misione diplomatike, DnV beson që një atmosferë e njëjtë demokratike do të përcillet edhe në zgjedhjet që po mbahen sot në Kosovë. Hapja e vendvotimeve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2,589 vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 9% e vendvotimeve. Është raportuar se shkak i vonesave të hapjes së vendvotimeve me kohë ka qenë mungesa e komisionerëve dhe atë në 6% të vendvotimeve. Aranzhimi i vendvotimeve është bërë konform rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja”, tha ai.
Kryeziu tha se nuk është raportuar asnjë rast kur kabinat e votimit nuk janë vendosur në këndet e vendvotimeve, që do të mund të cenonte fshehtësinë e votës.
Po ashtu, ai theksoi se nuk është raportuar për raste të vendosjes së kamerave në një mënyrë që do të mund ta cenonte fshehtësinë e votës.
”Ambienti dhe siguria rreth Qendrave te Votimit, edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në 3% të Qendrave të Votimit. Policia është duke u kujdesur për sigurinë e procesit të votimit, konform përcaktimeve ligjore. Nuk është raportuar asnjë rast ku kanë munguar forcat policore. E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 20% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate pjerrina) që u mundëson personave me aftësi të kufizuara qasje në objekt”, tha Kryeziu.
Informimi i votuesve për të votuar sakte, ai theksoi se me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme më 2023, kanë ndryshuar edhe disa elemente të votimit, siç është vota preferenciale.
“Në këto zgjedhje, votuesit do të mund të votojnë deri në 10 kandidatë, nga 5 sa ka qenë e lejuar në zgjedhjet parlamentare paraprake. Rrjedhimisht secila Qendër e Votimit duhet të ketë vendosur në hyrje instruksione të qarta për të gjitha rregullat e votimit. Sidoqoftë, vëzhguesit tanë kanë raportuar se posterët informues kanë munguar në 15% të Qendrave të Votimit. Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve, Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për pjesëmarrje të barabartë. Është raportuar se në të paktën 73% të vendvotimeve ka prani të komisionereve gra. Rikujtojmë se pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në vendvotime në zgjedhjet e kaluara ishte rreth 31%”, tha ai.
Kreu i DnV-së, tha se incidentet në hapje të vendvotimeve është raportuar për dy raste kur vëzhguesve të DnV-së në komunën e Prizrenit u është mohuar qasja në informata nga kryesuesit e vendvotimeve, përkatësisht në Qendrën e Votimit Abdyl Frashëri 2002/05 dhe Motrat Qirazi 2003/07.