​Çka presin qytetarët nga procesi zgjedhor?

Aktuale

​Çka presin qytetarët nga procesi zgjedhor?

Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 11:01
Qytetarët

Junik Dranqolli është ndër qytetarët e parë që u drejtua për votim në vendvotimin në shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Pejë. Por ai nuk arriti ta realizojë këtë të drejtë për shkak se dokumentit të tij i kishte skaduar afati.

Dranqolli: Nuk u lejova të votoj pasi letërnjoftimit mi ka kaluar afati

“Është dashur të lajmërojnë që ta shikojmë letërnjoftimit që i ka kaluar afati. I kam 83 vjet, nuk më pranuan të votojë, dokumentit i ka kaluar afati. Nëse ia fillon kështu është dobët, theksoi ai.

E për dallim nga bashkëqytetari i tij, Afrim Alimeta qytetar nga Peja pasi votoi tha se procesi i tij zgjedhor shkoi mirë.

Nga këto zgjedhje, ai pret më të mirat për vendin.

Alimeta: Presim vetëm të mira

“Mirë ka shkuar, lehtë ka shkuar, mirë gjithçka në rregull. Presim gjitha të mirat”, tha ai.

Të dielën paradite ka votuar edhe Xhavit Kaqani.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor.

Kaqani: Kisha bërë apel të dalin të gjithë të votojnë

“Kisha bërë apel të dalin të gjithë për të votuar, presim diçka më mirë, kam punuar në fabrikë për 40 vite shpresoj të vazhdojnë me ndërtimin e fabrikave”, tha ai.

Menaxherja e pikës votuese “Lidhja e Prizrenit”, Mejreme Shatri, tha se procesi zgjedhor në këtë qendër votimi po shkon mbarë.

Shatri tha se edhe materiali zgjedhor është pranuar me kohë.

Në këtë qendër votimi të drejtë vote kanë 4 mijë e 393 qytetarë të cilët mund të votojnë në 5 vendvotime.

Shatri: Procesi i votimit filloi mbarë

“Procesi i votimit ka filluar me një ditë të mbarë dhe mirë çdo gjë është në rregull. Ka nisur me kohë në orën 07:00, materialin jo sensitiv e kemi pranuar dje dhe sot kemi shkuar për të marr materialin sensitiv dhe çdo gjë është në rregull. Numri i qytetarëve që do të votojnë në shkollën tonë ‘Lidhja e Prizrenit’ është 4393”, tha ajo.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në qytetin e Pejës është 115 mijë e 679 votues, të cilët mund të votojnë në 24 qendra votimi me gjithsej 132 vendvotime.

Kjo komunë ka një qendër të votimit me kusht me gjithsej 2 vendvotime. Qendra e votimit me kusht në Pejë ndodhet na hapësirat e universitetit “Haxhi Zeka”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat