Qysh në orën 07:00 të mëngjesit dyert e 31 Qendrave të Votimit janë hapur edhe në komunën e Drenasit.
Zyrtari komunal zgjedhor në këtë komunë, Burim Jonuzi deklaroi për KP se procesi i votimit në këtë komunë po shkon mbarë.
Ai tha se me kohë kanë pranuar materialet zgjedhore.
Jonuzi: Në Drenas deri më tani nuk ka ndonjë parregullsi
“Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 në mëngjes ashtu siç është e përcaktuar më Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Deri më tash nuk ka ndonjë raportim për ndonjë parregullsi. Dje i kemi pranuar materialet e ndjeshme, si pjesë e materialit jo të ndjeshëm janë kompletuar të gjithë, janë pajisur të gjitha vendvotimet dhe gjithçka ka qenë e gatshme për shpërndarje në mëngjes”, tha ai.
Jonuzi tha se në Drenas të drejtë votë kanë 56 mijë e 703 qytetarë.
Jonuzi: Në Drenas të drejtë votë kanë 56 mijë e 703 qytetarë
“Në Komunën e Drenasit janë 56 mijë e 703 votues me të drejtë vote. Ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës dhe kësisoj do të ishte një mundësi më e mirë për qytetarët të votojnë lirshëm”, tha Jonuzi.
Ai tregoi se në këtë komunë qytetarët mund të votojnë në 31 qendra të votimit dhe në gjithsej 72 vendvotime.
Edhe në Drenas qytetarët mund të votojnë me kusht në gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.
Jonuzi: Në komunën e Drenasit i kemi gjithsej 31 qendra të votimit
“Në komunën e Drenasit i kemi gjithsej 31 qendra të votimit. Natyrisht për shkak të ndryshimeve ligjore është edhe një qendër e votimit me kusht janë gjithsej 72 vendvotime”, theksoi ai.
Qytetari nga Drenasi, Brahim Muqolli nga këto zgjedhje pret që udhëheqja e ardhshme politike e vendit të punojë më shumë për qytetarët.
Muqolli: Presim zgjedhje të mira
“Presim zgjedhje më të mira. Të punohet dhe mendohet për popullin, të dalin i madh e i vogël të votojnë sa më shumë mirë është”, tha ai.
Sipas qytetarit Isuf Demaku thotë procesi zgjedhor po shkon shumë mirë.
Demaku: Në jetën time proces më të mirë zgjedhor nuk kam parë
“Në jetën time më mirë nuk kam pa, prej këtij që ia kam vendosur votën pres dhe presin i gjithë populli”, theksoi ai.
Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.075.868 votues, prej të cilëve 1.970.944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104.924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës. Numri i votuesve të rinj që do të mund të votojnë për herë të parë është 125.852.
Numri i qendrave të votimit të cilat janë në dispozicion të qytetarëve është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që në këto zgjedhje parlamentare të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.
Zgjedhjet e sotme parlamentare po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.