Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të dalin për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ai ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Konjufca tha se sot është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë e shtetit. Ai shtoi se gjëja më e rëndësishme sot është që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.
Konjufca: Sot është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë e shtetit tonë
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë e shtetit tonë. Është dita e zgjedhjeve. Pra, prej këtij procesi do të konstituohet legjislatura e ardhshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës. E pastaj ajo legjislaturë pritet ta zgjedhë edhe qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Unë do ta shfrytëzoja rastin që së pari që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Kjo është gjëja më rëndësishme për republikën tonë. Që zgjedhjet të jenë të drejta, që të kalojnë si është më së miri, pa incidente e pa probleme. Tjetra është që në demokraci flet populli dhe ashtu që zëri i popullit të jetë sa më i fuqishëm. Bëjmë thirrje që të dalin sa më shumë qytetarë që të jetë e mundshme, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë bëhen pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të vazhdimësisë së ndërtimit të institucioneve tona shtetërore dhe të konsolidimit të mëtutjeshëm të demokracisë tonë”, tha Konjufca.
Numri i qendrave të votimit të cilat janë në dispozicion të qytetarëve është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që në këto zgjedhje parlamentare të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.
Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian