Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) tha se është duke vazhduar me monitorimin e Ofruesve ë Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA) edhe gjatë ditës së heshtjes zgjedhore.
Përmes një komunikate, KPM u ka bërë thirrje dhe një herë mediave që të respektojnë obligimet lidhur me procesin zgjedhor, respektivisht heshtjes zgjedhore, duke shmangur çfarëdo raportimi i cili mund të bie ndesh me rregullat e heshtjes zgjedhore dhe mund të dëmtonte procesin e votimit.
“Respektimi i heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, përveç që është obligim ligjor, i ndihmon votuesit që të ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese të votës. Prandaj, çdo thyerje e heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, në këtë periudhë shumë të rëndësishme zgjedhore, mund të ndërhyjë në vullnetin dhe orientimin e qytetarëve për ushtrimin e të drejtës së votës sipas përcaktimit të tyre të lirë dhe demokratik”, thuhet në komunikatën e KPM-së.
Njoftimi i KPM-së:
KPM fton të gjithë të licencuarit (OSHMA) që të zbatojnë obligimet ligjore nga Kreu VIII i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme Nr. 08/L-228 dhe Rregullorja KPM-2024/03 për obligimet e mediave gjatë fushatës zgjedhore.
Neni 52, paragrafi 1 dhe 2 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ”Ndalimi i Përfshirjes në Media” përcakton se:
1. Asnjë person ose medium nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës, gjatë periudhës që fillon me hapjen e vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të tyre.
2. Në Kosovë nuk bëhet asnjë publikim ose transmetim i rezultateve të hulumtimit të opinionit publik që ka të bëjë me fushatën e zgjedhjeve, duke përshirë daljen në votime, gjatë periudhës që fillon njëzet e katër (24) orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor”.
Respektimi i heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, përveç që është obligim ligjor, i ndihmon votuesit që të ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese të votës. Prandaj, çdo thyerje e heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, në këtë periudhë shumë të rëndësishme zgjedhore, mund të ndërhyjë në vullnetin dhe orientimin e qytetarëve për ushtrimin e të drejtës së votës sipas përcaktimit të tyre të lirë dhe demokratik.