Vështirësitë për të gjetur emrin në listën e votuesve, votimi me asistencë dhe fshirja e lehtë e ngjyrës materikuluese nga gishti janë disa nga parregullsitë që Demokracia në Veprim (DnV) ka hasur deri në mesditë të zgjedhjeve të sotme.
Megjithatë, sipas rrjetit të organizatave joqeveritare në Kosovë, këto parregullsi nuk e cenojnë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë.
Në një konferencë për media, Eugen Cakolli nga DnV tha se qytetarët në rreth 50 për qind të vendvotimeve në nivel vendi kanë pasur vështirësi për të gjetur emrin në listën e votuesve. Krahas kësaj, ai shtoi se deri tani ka qenë i shprehur edhe votimi me asistencë.
Cakolli: Këto janë parregullsitë që DnV ka hasur deri tani në zgjedhje
“Sa i përket parregullsive më të shprehura përgjatë pjesës së parë të ditës deri në mesditë vështirësitë për të gjetur emrin në listën e votuesve janë parregullsitë kryesore që kanë karakterizuar mbi 50 për qind të vendvotimeve në nivel vendi. Shqetësuese mbetet fakti që kemi afërsisht gjashtë për qind të vendvotimeve në të cilat numri i votuesve që nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve arrijnë deri 50 sosh. Kjo vështirësi dhe kjo problematik mund të jetë si rezultat i ndryshimeve të shumta në qendrat e votimit që janë bërë nga ana e KQZ-së për shkak të rritjes së numrit të votuesve, ndonëse KQZ-ja ka zhvilluar një fushatë informuese për këto ndryshime”, theksoi Cakolli.
Po ashtu, Cakolli tha se problem tjetër që është evidentuar është edhe çështja e fshirjes së lehtë të ngjyrës materikuluese të votuesve. Sipas tij, kjo mund të ndikojë në votimin e dyfishtë dhe mund ta minojë besimin e publikut dhe integritetin zgjedhor.
Cakolli: Është evidentuar edhe çështja e fshirjes së lehtë të ngjyrës materikuluese të votuesve
“Problem tjetër i evidentuar gjatë pjesës së parë të ditës është edhe çështja e fshirjes së lehtë të ngjyrës materikuluese të votuesve. Ky problem mund të ndikojë dhe t’i hap rrugë votimit të dyfishtë që mund të minonte besimin e publikut dhe integritetin zgjedhor...Ekzistojnë edhe mekanizma të tjerë që sigurohen se një votues nuk mund të votojë dy herë. Megjithatë problemi qëndron në faktin se fshirja e lehtë e ngjyrës materikuluese mund të krijojë perceptim te qytetarët që procesi zgjedhor s’ka qenë i rregullt dhe mund të ketë pasur raste të tilla”, deklaroi Cakolli.