Votimet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

Aktuale

Votimet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 15:16
Foto ilustrim

Në këto zgjedhje, për herë të parë votuesit në diasporë patën mundësi të votojnë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dje është votuar në 43 qendra, në 16 Ambasada dhe 14 Konsullata në 19 vende të ndryshme.

Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike është 20,324.

Zëri i Amerikës përcolli votimet në mjediset e Ambasadës së Kosovës në Uashington dhe bisedoi me disa votues mbi përshtypjet dhe pritshmëritë e tyre.

Sabri Tahiri punon për Bankën Botëore dhe prej 15 vitesh jeton në Uashington.

E shtuna e gjeti atë në mjediset e Ambasadës së Kosovës në kryeqytetin amerikan, ku votoi për zgjedhjet e përgjithshme.

Për herë të parë, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit kishin mundësi të votonin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në vendet përkatëse.

“Emocionet janë më të fota kur voton në Ambasadë”, thotë votuesi Tahiri për Zërin e Amerikës.

“Votën e shoh si detyrim”, thekson ai ndërsa shton se përmbushja e këtij detyrimi “në shtëpinë e shtetit tënd, është emocion më i fortë”.

Votuesja Fatlinda Gashi, e cila ndodhet në Uashington përkohësisht në kuadër të një programi të Korporatës Ndërkombëtare Financiare, thotë se procesi i votimit në Ambasadë ishte i lehtë dhe i shpejtë.

“Gjithçka shkoi ashtu siç duhet. Po ndihem si me qenë në Kosovë, domethënë si në shtëpinë time”, thotë ajo.

Votuesi Florent Sahiti, i cili jeton në Uashinton prej gjashtë vitesh, tha se përvoja e tij në këto zgjedhje ishte shumë më ndryshe krahasuar me atë të para katër viteve.

“Herën e kaluar nuk munda të votoj fare, sepse jam vonuar pak në procedura dhe mbeta pa votuar. Por tani procesi është bërë shumë më i thjeshtë”, thotë zoti Sahiti për Zërin e Amerikës.

Procesin e lavdëruan edhe Jeta Abazi Gashi, e cila është pjesë e programit ‘Fullbright’ në Universitetin ‘George Washington’ dhe bashkëshorti i saj, Qëndrim Gashi, Ish-Ambasador i Kosovës në Francë.

“E ka njëfarë kënaqësie kjo puna e votimit, sepse të bën që ta vlerësosh demokracinë dhe rëndësinë që e ka qytetari për të kontribuar në demokraci”, thotë zonja Abazi-Gashi.

“Shpresoj që të gjithë ata që nuk janë regjistruar kësaj here, herën e ardhshme të mund të regjistrohen dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët të flasin sa herë që ka zgjedhje, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet në vitet në vijim”, shtoi zoti Gashi.

Për disa nga votuesit me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës, siguria ishte çështja kryesore.

“Jemi në një botë që po ndërron”, thotë votuesi Tahiri. “Siguria më duket se do të bëhet çështja më e rëndësishme për të paktën disa vitet e ardhshme”, thekson zoti Tahiri.

“Lufta, aneksimi i territoreve në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme, pastaj njëfarë rivijëzimi i shteteve të ndryshme dhe madje çarjet ndërmjet shteteve në perëndim bëjnë që këto zgjedhje për ne, si shtet që varet bukur shumë nga siguria, mbrojtja, ombrella e sigurisë rajonale ndërkombëtare, të kenë një peshë shumë më të madhe”, thotë ish-Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.

Të tjerë mendojnë se mirëqenia e qytetarëve është thelbësore.

“Unë kisha pritur që si grua të ketë më shumë gra të zgjedhura. Fushat e tjera, ekonomia, qytetarët janë ankuar për çështjen e rrymës, ujit, tema të ndryshme sociale”, thotë votuesja Jeta Abazi Gashi.

Pritshmëri të ngjashme ka edhe votuesi Florent Sahiti i cili uron që edhe Kosova “të përparojë si vendet e tjera”.

“Pres të jetë më mirë sidomos për stabilitetin politik dhe gjithashtu një zhvillim ekonomik më i begatë”, thekson votuesja Fatlinda Gashi.

Përveç Ambasadës në Uashington, shtetasit e Kosovës që jetojnë në Shtetet e Bashkuara patën mundësi të votojnë edhe në Konsullatën e vendit në qytetin e Nju Jorkut./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat