KALLXO.com ka pranuar informatën se në qendrën e votimit “Naim Frashëri” në Shtime, dyshohet se dreka që ishte porositur për vëzhguesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëra prej tyre ishte mbështjellur me një fletë që i ngjason fletëvotimit.
Aty është shënjuar në kolonat për katër kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Fleta që i ngjason fletëvotimit duket se është plotësuar tek numri 1,3, 48 dhe 73.
Drejtori i shkollës “Naim Frashëri” me numër 2201, njëherësh menaxher i qendrës së votimit, Rexhep Hasani tha se janë duke u përpjekur të gjejnë se kush e ka lënë.
“Para 5 minutave e kemi gjet. është gjet në ushqimin në këto keset. Jemi t`u përpjekë me kqyr kush e ka lonë . Tash do i kryej të gjitha obligimet për raportime më tutje”- tha ai.
Ndërsa, Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së në Shtime tha se nuk kanë “asgjë” dhe le ta trajtojnë Policia.
“Na nuk kemi informata deri me tani. Nuk më është raportu asgjë. Le ta trajtojnë Policia, deri tash nuk më ka raportu kurgjo”- tha Jakupi.
Në lidhje me këtë rast, Policia tha për “që është udhëzim, format A4, fletëvotimet janë A3”.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.
Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.
Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.
Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë. Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.
Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.
Procesi i votimit në Kosovë do të monitorohet nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera.
Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë do të sjellin një risi sa i përket vëzhgimit të procesit të votimit, pasi që, për herë të parë, në qendra votimi do të ketë edhe kamera mbikëqyrëse.