Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, njoftoi në një konferencë për media se rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë pritet të bëhen publike shumë më shpejt se në proceset zgjedhore të mëparshme.
Elezi shpjegoi se fillimisht do të numërohen vetëm votat për subjektet politike, duke shmangur numërimin e votave për kandidatët për deputetë. Kjo pritet të përshpejtojë procesin e publikimit të rezultateve fillestare.
“Po shpresojmë që brenda një kohe të shpejtë të arrijmë t’i kemi rezultatet preliminare nga vendvotimet për subjektet politike”, ka thënë Elezi.
Megjithatë, ai nuk dha një kohë të saktë për shpalljen e rezultateve, por konfirmoi se të dhënat do të përditësohen në ueb-faqen zyrtare të KQZ-së sapo të fillojnë të ngarkohen nga zyrtarët në qendrat e votimit.
“Sigurisht që do t’ju njoftojmë, por do ta shihni edhe në web-faqen e KQZ-së kur të dhënat nga vendvotimet fillojnë të shfaqen dhe përditësohen”, ka shtuar Elezi.
Elezi ka potencuar se procesi do të varet nga ritmi i numërimit dhe ngarkimi i të dhënave nga qendrat e votimit.