Largimi i tavolinave informuese nga qendrat e votimit ka shkaktuar konfuzion te qytetarët, në zgjedhjet e sotme parlamentare. Një gjë e tillë nga ndodhur në qendrën e votimit “Shaban Hashani” në komunën e Ferizajt.
Kryesuesja e kësaj qendre, Hajrije Nebihu tha për kp se votimi në këtë qendër ka nisur me kohë, mirëpo problem ka qenë mungesa e tavolinës informuese për qytetarët e cila është larguar nga KQZ-ja.
Kjo sipas saj ka bërë që shumë qytetarë “të presin me orë të tëra dhe në fund të kuptojnë se s’kanë të drejtë vote këtu”.
Krahas kësaj, si problem për qytetarët ajo e shfaqi edhe mungesën e vendvotimeve në katin e parë, gjë e cila ka vështirësuar votimin në katin e dytë për personat më të moshuar.
Nebihu: Qytetarët me orë të tëra kanë pritur dhe në fund kanë kuptuar se nuk do të votojnë këtu
“Votimet kanë filluar me kohë dhe kemi qenë të përgatitur. I kemi gjashtë vendvotime, deri këtu jemi mirë por me disa pengesa dhe vërejtje që i kemi pasur. Mirëpo në përgjithësi procesi deri tani ka shkuar shumë mirë. Në katin e parë nuk kemi klasë, pra nuk kemi vendvotime. Sivjet na ka penguar shumë por ka qenë problem tavolina ndihmëse që është larguar nga KQZ-ja. Kemi raste të shumta që presin me orë dhe në fund kuptojnë se nuk do të votojnë këtu. Ky ka qenë problemi kryesor”, tha ajo.
Megjithatë, ajo tha se deri në orën 15:00 në këtë qendër kanë votuar 1 mijë e 602 votues nga gjithsej 5 mijë e 115 qytetarë me të drejtë vote.
Nebihu: Vërehet një fluks më i madh për të votuar
“Deri në orën 15:00 kemi pasur 1 mijë e 602 votues me të drejtë vote. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 vërehet një fluks më i madh”, theksoi Nebihu.
Në Ferizaj të drejtë vote kanë 118 mijë e 288 votues, në 44 qendra të votimit me 152 vendvotime.