Halil Geci ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka akuzuar PDK-në për blerje të votave.
Ai postoi një fotografi ku shiheshin disa mesazhe të shkëmbyera mes disa personave.
Për këtë, Geci bëri një thirrje për marrje të masave dhe hetim të rastit në fjalë.
“Nëse këto akuza janë të vërteta, atëherë autoritetet përkatëse duhet të hetojnë dhe të marrin masa ligjore kundër përgjegjësve.
Korrupsioni zgjedhor jo vetëm që minon demokracinë, por edhe cenon të drejtat e qytetarëve për një proces zgjedhor të ndershëm dhe transparent”, u shpreh ai, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
“Skandali i Blerjes së Votave – Si PDK Manipulon Zgjedhjet me Shantazh dhe Para”
PDK-ja, si gjithmonë, është përfshirë në blerjen e votave – një praktikë e vjetër dhe e paligjshme që e ka përdorur që nga paslufta. Kjo shkelje e rëndë e procesit demokratik është e dënueshme në çdo shtet me institucione funksionale dhe zgjedhje të lira.
Nëse këto akuza janë të vërteta, atëherë autoritetet përkatëse duhet të hetojnë dhe të marrin masa ligjore kundër përgjegjësve.
Korrupsioni zgjedhor jo vetëm që minon demokracinë, por edhe cenon të drejtat e qytetarëve për një proces zgjedhor të ndershëm dhe transparent.
Përmes këtyre metodave të paligjshme, PDK-ja ka ardhur në pushtet, duke e shfrytëzuar atë për të pasuruar veten dhe një grusht njerëzish në kurriz të qytetarëve. Për vite me radhë, kjo parti është akuzuar për vjedhje, korrupsion dhe keqpërdorim të pasurisë publike, duke e dëmtuar vendin deri në palcë. Është koha që drejtësia të veprojë dhe që përgjegjësit të mbajnë llogari për veprimet e tyre.