VOA: Partia në pushtet e para në zgjedhjet e së dielës në Kosovë

Aktuale

VOA: Partia në pushtet e para në zgjedhjet e së dielës në Kosovë

Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 22:51
09 shkurt 2025

Lëvizja Vetëvendosje kryeson në zgjedhjet parlamentare të së dielës, por duket se duhet të negociojë një koalicion me partitë e tjera për të formuar qeverinë e re.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me mbi 50 për qind të votave të numëruara Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 37.50 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Rezultati i deritashëm shënon një rënie nga më shumë se 50 për qind sa fitoi partia e Kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021.

Njëzetetetë subjekte politike me 1.280 kandidatë, garuan për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës.

Mijëra vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve mbi 100 të dërguar nga Bashkimi Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës ndoqën procesin në mbi 940 qendra votimi që qëndruan të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00.

Mbi 40 për qind e rreth dy milion votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre në këto zgjedhje që pasuan një fushatë të rreptë të partive politike, të cilat për një muaj me radhë u zotuan për rritje pagash e pensionesh, përmirësim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe për të luftuar papunësinë në vendin më të varfër në Evropë.

Zgjedhjet e sotme, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, u panë si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe u vu në përpjekje për një mandat tjetër.

Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.

Votimet e së dielës do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë Kosovën në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga fuqitë perëndimore për veprimet qeverisë së tij në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë në fuqi masa ndëshkuese ndaj Kosovës që nga qershori i vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri. Por, bisedimet me Serbinë nuk gjetën shumë vend në fushatën para zgjedhjeve.

Dhjetë nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb, dhjetë të tjera për komuniteteve tjera pakicë. Rreth 100 mijë qytetarë serbë me të drejtë vote patën mundësinë të zgjedhin mes gashtë partive politike nga radhët e këtij komuniteti.

Analistët serbë thanë se në këto zgjedhje pati një pluralizëm më të madh demokratik.

Partitë opozitare kritikuan qeverinë Kurti për marrëdhëniet me aleatët posaçërisht me Shtetet e Bashkuara, të cilat gjatë administratës së ish Presidentit Joe Biden, tërhoqën vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kishin ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe paralajmëruan Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

Çështja e këtyre marrëdhënieve u bë objekt diskutimesh këto ditë pas dy postimeve në rrjetin social X nga i dërguari i Presidentit Trump për misione të posaçme Richard Grenell, i cili në administratën e parë ishte i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi. Sipas tij marrëdhëniet janë në pikën më të ulët, ndonëse qeveria e Kosovës ngulë këmbë se janë shumë të mira.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat