Palokaj: Pakicat mund të vendosin për Qeverinë e re

Aktuale

Palokaj: Pakicat mund të vendosin për Qeverinë e re

Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 23:44
Augustin Palokaj

Augustin Palokaj, gazetar që prej vitesh përcjell politikat e Bashkimit Evropian, pret që Lëvizja Vetëvendosje ta kalojë shifrën prej 40% të votave.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se pakicat mund të vendosin se kush do ta formojë Qeverinë e re, nëse Vetëvendosje nuk bën koalicion me ndonjë parti opozitare.

"Besoj që Vetëvendosje si parti fituese do të jetë ajo që do ta marrë mandatin për të tentuar ta themelojë Qeverinë. Na pret një situatë jo e lehtë me turbulenca të mundshme politike në Kosovë, por edhe në skenën ndërkombëtare", thotë Palokaj.

BE-ja ka në fuqi disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Palokaj thotë se, pas zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes së komunitetit serb në to, pret që BE-ja t'i heqë ato.

"Tash tensione në veri, për fat të mirë, nuk ka dhe nuk shoh arsye që të mos hiqen masat. Pra, mbeten vetëm disa aspekte ligjore se si të hiqen gradualisht ato", thotë Palokaj.

Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ai pret që BE-ja ta vazhdojë presionin mbi Kosovën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai, po ashtu, pret që BE-ja ta vlerësojë me notë të lartë rrjedhën e procesit zgjedhor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat