PDK: Jemi konfirmuar si forca e dytë, kemi marrë 200 mijë vota

Aktuale

PDK: Jemi konfirmuar si forca e dytë, kemi marrë 200 mijë vota

Më: 10 shkurt 2025 Në ora: 00:29
Blerand Stavileci

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është renditur e dyta në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bazuar në të dhënat preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Deri tani, kur janë numëruar mbi 70% të votave, PDK ka marrë 22.68% të tyre.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, në konferencën për media ka deklaruar se partia e tij është konfirmuar si forca e dytë më e votuar, me rreth 200 mijë vota.

“Tash jemi para jush për të dhënë një mesazh të qartë dhe të plotë. PDK ka arritur një rezultat të madh. Ne jemi konfirmuar si forca e dytë në vend me 200 mijë vota. Ky është rezultati më i mirë në shumë vite dhe një dëshmi e qartë e besimit të qytetarëve në vizionin tonë për Kosovën. Falënderojmë qytetarët për votën për PDK-në dhe për kandidatin tonë, Bedri Hamzën. Ajo që kemi parë në këtë proces është shumë e qartë – shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie. Rezultati tregon se ata kërkojnë një qeveri të re, qytetarët tani me votën e tyre treguan se besojnë se Kosova mund të bëhet më mirë”.

Stavileci shtoi se ditëve në vazhdim kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër do të njoftojnë për hapat e mëtutjeshëm.

“Tash po hyjmë në një fazë të re, në ditët në vijim, me finalizimin e rezultateve, Kryetari Memli Krasniqi dhe kandidati ynë Bedri Hamza do të dalin me qëndrimin tonë zyrtar për hapat e ardhshëm”, u shpreh Stavileci para gazetarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat