Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli fitoren para simpatizantëve të mbledhur në një shesh të Prishtinës, në orët e para të 10 shkurtit.
“Ne do t’i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur në katërvjeçarin e kaluar dhe do të bëjmë shumë punë të tjera, në përputhje me zotimet tona, cep më cep Kosovës”, tha ai.
Rezultatet preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nxorën Vetëvendosjen në vend të parë me 41.99 për qind të votave.
“Ajo që dihet nga rezultatet preliminare është se, edhe sikur të bëhen bashkë PDK-ja dhe LDK-ja, ato nuk bëhen sa Vetëvendosja”, tha Kurti.
Sipas tij, procesi zgjedhor ishte “ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ishte demokratik dhe pa incidente”.