Dëshmitari i 120 i prokurorisë: Do të ishte mirë të mos më pyetni më
![](/media/botasot.info/images/2025/February/10/auto_4141739183536.jpg)
Pas një jave pushim, Dhomat e Specializuara në Hagë rifilluan gjykimin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pyetjeve iu përgjigj dëshmitari i 120 i prokurorisë, i cili foli me identitet të mbrojtur.
Përmbledhjen për të e lexoi prokurori Cezary Mihailzcuk.
“Në qershor të 1999-ës, dëshmitari 00542 dhe një i afërm i tij, u rrëmbyen nga persona të armatosur që kishin uniforma me emblema të UÇK-së, të cilët i dërguan në një vend ku i mbajtën të ndaluar dhe i morën në pyetje dhe i keqtrajtuan. Gjatë kohës që ishte i ndaluar 00542 u mor në pyetje nga një komandant në atë vend. 00542 pa me sytë e tij se si janë keqtrajtuar të ndaluarit të tjerë që mbaheshin atje. Dëshmitari 00542 u lirua pas disa ditësh”, tha prokurori Mihailzcuk.
Mirëpo, pas pyetjeve për gjendjen shëndetësore, dëshmitari pati një kërkesë për Dhomat e Specializuara.
“A mund të na tregoni cilat janë këto probleme?”, pyeti prokurori, teksa dëshmitari u përgjigj: “Nuk e di çka s’kam problem, nuk e di ç’të them sinqerisht dhe tani që jam këtu i stresuar, do të ishte më mirë që të më lironi e mos të më bëni pyetje më për këtë, që mos të thirrem më nga asnjë gjykatë dhe mos më keqtrajtoni më”.
Pavarësisht kërkesës së tij, gjykimi vazhdoi. Mbrojtja e të akuzuarve pyetjet i bëri në seancë të mbyllur.