Liderët e VLEN-it urojnë Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet në Kosovë

Aktuale

Liderët e VLEN-it urojnë Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet në Kosovë

Më: 10 shkurt 2025 Në ora: 10:56
Liderët e VLEN-it, Izet Mexhit, Arben Taravari, Bilall Kasami dhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi kanë uruar Albin Kurtin për fitoren

Liderët e VLEN-it, Izet Mexhit, Arben Taravari, Bilall Kasami dhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi kanë uruar Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet parlamentare.

Në një postim në Facebook, zv. kryeministri Izet Mexhiti ka thënë se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje është shembull dhe frymëzim se e drejta ngadhënjen edhe kur duket e pamundur.

“Urime të përzemërta i dashur vëlla Albin, urime Vetëvendosje. Fitorja e juaj është një shembull dhe frymëzim për të gjithë ne se e drejta ngadhënjen edhe kur kjo duket e pamundur dhe iluzion. Urime dhe përgëzime të gjithë qytetarëve të Kosovës për vetëdijen e lartë të demonstruar sot. Urime dhe komplimente institucioneve të Kosovës për zgjedhjet demokratike dhe atmosferën festive anembanë Kosovës”, ka shkruar Mexhiti.

Taravari thotë se është koha që ata që ishin vendosur kundër Kurtit, t’i japin atij mundësinë e njohjes.

“Fitorja e Kurti dhe e Vetëvendosjes do të mbahet mend gjatë. Sipas atyre që e kundërshtonin (deputetët e Listës Serbe nuk ishin asgjë para egërsisë dhe mllefit sui generis të disa të të tjerëve), pra sipas formulës “të gjithë kundër Kurtit”, atëherë sot, secilit që ka rregulla dhe i respekton i takon të thotë se Kurti Fitoi Mbi të Gjithë”, thotë Kurti.

Biall Kasami nëpërmjet profilit të tij në Facebook ka uruar fitoren e Kurtit në zgjedhje.

“Kryeministër, urime fitoren CEP MË CEP!”, shkruan Kasami.

Urime për fitoren e Kurtit në zgjedhje ka dërguar edhe kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi i cili shkruan se e ky rezultat përfaqëson besimin e qytetarëve në vizionin e Kurtit për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës.

“Zgjedhjet në Kosovë dëshmojnë për pjekurinë e popullit të Kosovës, ndërsa procesi zgjedhor dëshmon angazhimin serioz të institucioneve për transparencë dhe demokraci.

Urime të sinqerta mikut tim, Albin Kurtit, për fitoren dinjitoze të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë! Ky rezultat përfaqëson besimin e qytetarëve në vizionin e tij për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës, si dhe vlerësimin për mandatin e tij të suksesshëm në krye të qeverisë” shkruan Gashi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat