Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" analizon zgjedhjet në Kosovë duke e vendosur theksin tek humbja e shumicës absolute të kryeministrit Kurti pas votimeve të së dielës (09.02.). "Në parlamentin e mëparshëm partia e Albin Kurtit kishte bashkë me deputetë nga pakicat etnike një shumicë komode. 49-vjeçari kur mori detyrën premtoi reforma të gjithanshme në drejtësi dhe administratë, por nuk mundi të realizonte shumë prej tyre. Nëse do që të vazhdojë të qeverisë tani, atij i duhet të bashkohet me PDK apo LDK. Por teorikisht do të ishte e mundur edhe një aleancë qeveritare pa partinë e Kurtit."
Përkeqësim i marrëdhënieve me SHBA
Gazeta "Weser Kurier" shkruan, se megjithë reformat e pakryera, qytetarët e Kosovës sërish i besojnë kryeministrit Kurti. Më tej ajo i kushton vëmendje marrëdhënies së Kurtit me SHBA. "Me ardhjen në detyrë të presidentit amerikan Donald
Trump po jepen shenja përkeqësimi të marrëdhënies së Kurtit me SHBA-në, partnerja më e rëndësishme ushtarake e Kosovës.
Richard Grenell, i dërguari i misioneve speciale të Trump, sulmoi Kurtin në disa postime në X pak para zgjedhjeve, ku e akuzoi për mosbesueshmëri. 'Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për veprime të njëanshme, që destabilizojnë rajonin. Edhe BE-ja dhe NATO e bëri këtë", shkroi Grenell në X. Kryediplomati i Trump nuk përmendi që BE, NATO dhe SHBA - edhe pse me kujdes - e kritikuan Beogradin, që në shtator 2023 një trupë goditëse e armatosur nga Serbia hyri veri të Kosovës për të nxitur edhe më shumë serbë të Kosovës për një kryengritje të armatosur.
Nevojë për partner koalicioni
Edhe portali "Welt online" në artikullin mbi zgjedhjet i kushton vëmendje nevojës së Albin Kurtit për partner koalicioni dhe rritjes së tensioneve me Serbinë. "Gjatë qeverisjes së Kurtit u rritën dukshëm tensionet ndërmjet shqiptarëve dhe pakicës serbe si dhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë."
Portali "Tagesschau" i televizionit publik gjerman ARD në artikullin "Kryeministri Kurti fiton zgjedhjet parlamentare në Kosovë" shkruan se partia e kryeministrit me orientim të majtë nacional, Albin Kurti, ka humbur, sipas prognozave shumicën absolute të shpresuar. "Ajo është forca kryesore, por ka nevojë për një partner koalicioni. "Kurti është i diskutueshëm. Politika e tij pa kompromis ndaj pakicës serbe në veçanti ka sjellë tensione. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Por këtë nuk e njeh as qeveria në Beograd dhe as minoriteti serb në Kosovë. [...] Kritika të hapura po vijnë ndërkohë nga SHBA, mbështetja e të cilave kontribuoi ndjeshëm në pavarësinë e Kosovës. I dërguari i Presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, Richard Grenell së fundmi e quajti qeverinë e Kurtit 'të pabesueshme' në X. Vetë Trump kishte shkruar: 'Kurti është një fatkeqësi'".
Revista "Spiegel", në portalin online i referohet ndër të tjera problemeve që pati Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në numërimin e votave. "Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka pasur probleme serioze me përpunimin elektronik të të dhënave ditën e zgjedhjeve dhe nuk ka dashur të shpallë rezultatin paraprak përfundimtar deri në mëngjesin e së hënës." Në artikullin "Kryeministri Kurti deklaron veten si fitues të zgjedhjeve, por humb shumicën", theksohet, se "kryeministri i mëparshëm është ndoshta edhe ai i ardhshëm – edhe pse jo më me shumicë absolute. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shpallur fitoren pas zgjedhjeve parlamentare të vendit të tij."
Kurse "Frankfurter Rundschau" i kushton vëmendje fitores së Kurtit në artikullin "Prognoza mbi rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë: Kryeministri Kurti fiton me partinë e e majtë nacionale". "Në zgjedhjet parlamentare në Kosovë duket se është shënuar fitorja për partinë e liderit të qeverisë së majtë nacionaliste, Albin Kurti. Megjithatë, parashikimet e publikuara të dielën në mbrëmje pas mbylljes së sondazheve sinjalizojnë, se partia Vetëvendosje (VV) e Kurtit ka të ngjarë të humbasë shumicën e mëparshme absolute. Prandaj, Kurti do të duhet të mbështetet te partnerët e koalicionit në të ardhmen."/DW