Sylejman Selimi për sulmet e UÇK-së në 97-ën: Sinjali i këtij sulmi ishte që UÇK-ja ekziston
![](/media/botasot.info/images/2025/February/10/auto_syla1739192525.jpg)
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sylejman Selimi foli për sulmin ë stacionin e policisë serbe në Runik të Skenderajt me 1997-ën.
Ai pohoi se urdhri ishte dhënë nga Adem Jashari dhe sinjali i këtij sulmi ishte që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ekziston.
Fillimisht, dëshmitari pohoi se ka marrë pjesë në një sulm të bashkërenduar në një stacion policie në vitin 1997 dhe se kjo detyre iu është caktuar nga Adem Jashari.
“Komandanti legjendar Adem Jashari. Unë e kam shpjegu që prej 91-shës kam qenë pjesë e grupit të Adem Jasharit dhe për çdo gjë që ka pas nevojë unë kam qenë në mbështetje të tij”.
Dëshmitari u pyet se çfarë detyrash iu caktuan për këtë sulm.
“Që unë të jem bashkë me të në këtë sulm. Ne kemi qenë bashkë me Adem Jasharin dhe me disa të tjerë”, tha Sylejman Selimi duke shtuar se ky sulm u bë në stacionin e Policisë në fshatin Runik.
Sipas dëshmitarit sinjali i këtij sulmi ishte që UÇK-ja ekziston, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sinjali i këtij sulmi ishte që UÇK-ja ekziston dhe që ajo ishte”, tha ai.
Më pas dëshmitarit iu prezantua një komunikatë që sipas prokuror Hallingut e mbante numrin “36” në të cilën thuhej se njësitet e armatosura të UÇK-së kryen një operacion të sinkronizuar në zonën operative 1 dhe që është bërë një sulm në stacionin e Policisë në Runik dhe disa vende të tjera.
Sylejman Selimi tha se vendimi për të dal publikisht UÇK-ja është marrë nga Adem Jashari dhe bashkëpunëtoret e tij. Ai shtoi se daljen publike e ka bërë Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi.
Ndërsa, të tjerët si grup, Sylejman Selimi tha se kanë qenë të pozicionuar në vende të ndryshme për ta ruajtur sigurinë gjatë varrimit të mësuesit, Halit Geci ku u bë edhe dalja e parë publike e UÇK-së.
Më pas dëshmitari u pyet për një ngjarje që ka ndodhur në 1998-ën për të cilën ai kishte dhënë interviste për një media në vitin 2000.
Ishte fjala për Betejën e Likoshanit ku ishte plagosur Sabit Geci, Musë Jashari dhe Sabit Lladrovci. Sylejman Selimi tha se në këtë rast kishin shkuar në mbrëmje në këtë rast
“Ka pasur shumë mjete të blinduara dhe sa mbajë mend kanë qenë edhe dy helikopter që kanë marrë pjesë në këtë betejë”, tha Selimi teksa foli për armatimin e forcave serbe.
Ndërsa, për UÇK-në dëshmitari tha se kishin arme të lehta dhe murtajë dore e që për këto të fundit, ai tha se di a janë përdorur
Më pas, dëshmitari tha se me 4 mars që ka qenë nata e fundit e takimit me Adem Jasharin në fshatin Ticë e që pjesëmarrës ka qenë Rrahman Rama dhe Rrustem Mustafa së bashku me të plagosurit të lartpërmendur. Megjithatë tha se nuk është i sigurt nëse ka qenë saktë Rexhep Selimi.
“Kam qenë i stacionum në shumicën e kohës në shtëpinë time dhe në fshatin tim dhe një pjesë bukur të madhe e kam kaluar aty”, tha dëshmitari kur u pyet se ku ka qenë i stacionuar nga marsi i 98-ës deri në prill të 98-ës.
Në fillim, dëshmitarit iu prezantua një intervistë e tij ku ishte pyetur për hierarkinë të UÇK-së për çka ai kishte thënë se udhëhiqet nga Shtabi i Përgjithshëm dhe ka hierarkinë e të gjitha niveleve e cila respektohet nga të gjitha strukturat ushtarake.
Si rrjedhojë, Halling tha se ky artikull ishte botuar në gusht të 1998-ës.
Prokurori Halling i prezantoi dëshmitarit një dokument të 2001-ës i cili ishte procesverbal i një takimi në Prekaz ku pjesëmarrës ishin përveç Sylejman Selimit edhe persona të tjerë.
Dëshmitari tha se nuk i kujtohet që ka qenë dikush që ka mbajtur procesverbal. Megjithatë, ai shtoi se procesverbali pasqyron pjesëmarrësit e atij takim. Krahas kësaj, ai tha se bisedat e takimit nuk i kujton.
Dokumenti përmbante emrin e Sylejman Selimit, Rifat Jasharit, Hashim Thaçit, Gani Koci, Zenun Kodra, Sami Lushtaku, Jakup Nura, Kadri Veseli, Ilaz Derguti, Nuredin Lushtaku, Sahit Jashari, Bashkim Jashari, Lulzim Jashari dhe Murat Jasharit.
Dëshmitari pohoi se në luftë, nofka e tij ka qenë “Sulltani” dhe shenja thirrëse ka qenë “101”.
Më pas dëshmitarit iu prezantua një listë që supozohet qe është gjetur në shtëpinë e Rexhep Selimit. Ai tha se nuk e mban mend se çfarë numri ka pasur në atë kohë dhe se nuk e din a është numri i tij në atë listë përkrah shenjës thirrëse të tij.
“Numër 63 nuk e di që najhere kam pas ose që kam përdorë… unë e di që e kam përdorur një telefon satelitor dhe nuk e mbaj mend se çfarë numri ka pas”, tha Sylejman Selimi.