Kosova votoi – çfarë pritet të ndodhë pas zgjedhjeve të së dielës

Aktuale

Kosova votoi – çfarë pritet të ndodhë pas zgjedhjeve të së dielës

Më: 10 shkurt 2025 Në ora: 13:11
Albin Kurti

Kur janë numëruar 90 për qind e votave, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 41 për qind e pasuar nga Partia Demokratike me 22.37 për qind, Lidhja Demokratike me 17.57 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.56 për qind.

Kryeministri Albin Kurti tha të dielën në mbrëmje se “ne jemi fituesit që do të formojmë kabinetin e ardhshëm”, por pa dhënë ndonjë hollësi se me kë mund të provojë ta bëjë këtë.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 40.6 për qind e votuesve morën pjesë në zgjedhjet e së dielës, afërisht 7 për qind më pak se në zgjedhjet e vitit 2021.

Njëzet nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb.

Lista Serbe, partia kryesore e pakicës etnike serbe, mori 3.98 për qind të votave dhe sipas udhëheqësit të saj Zlatan Elek, “është fituese absolute e këtyre zgjedhjeve".

Ndërsa vazhdon numërimi i votave të mbetura përfshirë ato nga diaspora, vëzhguesit thonë se rezultati i zgjedhjeve ka lënë të hapura shumë mundësi për zbatimin e tyre. Nëse lëvizja Vetëvendosje nuk siguron koalicion me ndonjë nga partitë opozitare do ta ketë të vështirë të formojë qeverinë me deputetët e pakicave. Të delen në mbrëmje zoti Kurti përjashtoi mundësinë që ta formojë qeverinë me partitë opozitare ndaj të cilave përdori edhe një fjalor më të ashpër dhe një shprehje ofenduese. Mundësia tjetër është që opozita të provojë të formojë qeverinë e re, pasi të jenë shteruar përpjekjet e lëvizjes Vetëvendosje.

Cilado që të jetë qeveria e re ajo duhet të përballet me sfida për të përmirësuar gjendjen ekonomike, arsimin dhe shërbimet shëndetësore dhe për të luftuar varfërinë. Në planin e jashtëm qeveria e re do të përballet me përpjekjet për ripërtëritjen e marrëdhënieve me fuqitë perëndimore, të cilat e kanë kritikuar qeverinë e Kryeministrit Kurti për veprimet e saj në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Qeveria e re do të përballet edhe me procesin e ngecur të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur dy vjet më parë, sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat