Lëvizja Vetëvendosje po konsiderohet fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, por me fuqi të dobësuar në relacion me zgjedhjet e kaluara si dhe pretendimet e tyre për 500 mijë vota.
Njohësit politikë, pavarësisht fitores së LVV-së nuk e mohojnë mundësinë që edhe PDK, LDK dhe AAK së bashku me komunitetet jo shumicë të formojnë qeverinë e ardhshme. Megjithatë, theksojnë se si partia e Albin Kurtit ashtu edhe partitë të tjera nëse s’bëjnë koalicione të mëdha do të kenë një qeveri me shumicë minimale parlamentare dhe të brishtë.
Në bazë të dhënave preliminare dhe numërimit të 96.88 për qind të votave nga ana e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit me 41.10 për qind të votave, pasuar nga PDK me 22.25 për qind, LDK me 17.77, AAK 7.46 për qind dhe Lista Serbe 4.01 për qind.
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se rezultati i deritanishëm i zgjedhjeve, pa votat e diasporës dhe nëse s’ka koalicione mes LVV-së dhe ndonjë prej partive opozitare s’do të ketë qeveri stabile.
Baraliu: Vetëvendosje është fituese, por me fuqi të dobësuar
“Vetëvendosja është fituese por me fuqi të dobësuar në relacion me fitoren që ka pasur në zgjedhjet e kaluara, por edhe me përcaktimet e tyre se do të duhej asgjë më pak sesa 500 mijë vota. Nuk i kanë fituar. Por edhe subjektet politike opozitare që kanë bërë një fushatë para fushatës se katër vjet, sidomos në vitin e fundit, por edhe ata janë të pakënaqur me atë çka kanë marrë në këtë proces elektoral... Në numra ky rezultat përkthehet në mundësinë që koalicioni i deritanishëm i qeverisës LVV me Guxo dhe Alternativën, por edhe partitë opozitare kanë mundësuar të formojnë qeveri, por asnjëra s’mund të formojë qeveri me bazë të gjerë dhe stabile e të fortë. Por do të jenë qeveri të pakicës që s’mund të kenë jetë të gjatë”, thekson Baraliu.
Në anën tjetër, analisti politik Seb Bytyçi thotë se nëse numri i deputetëve të LVV-së mbetet në dyzetat atëherë do të ketë të vështirë të formojë qeverinë pa një koalicion, i cili sipas tij mund të jetë me koalicionin AAK-NISMA.
Në të kundërtën ai deklaron se mund të ketë edhe një qeveri të formuar nga partitë opozitare pasi i kanë numrat e mjaftueshëm në Kuvend.
Bytyçi: PDK, LDK dhe AAK-NISMA mund të formojnë qeverinë
“Nëse mbetet numri i deputetëve të LVV-së në të dyzetat atëherë është e vështirë të (formojnë qeverinë) pa një parti tjetër me një numër të mjaftueshëm të votat. Kjo është koalicioni AAK-NISMA, ose vetëm Nisma varësisht prej numrit të deputetëve që i kanë. Në këto raste koalicioni bëhet me partinë më të vogël të mundshme. Kjo i bie se koalicioni AAK-NISMA është një lloj king-maker, ku vendosin se kah do të shkojë qeveria e re. Në bazë të deklaratat të deritanishme AAK-ja nuk ka interes që të shkojë në koalicion me LVV-në. Kjo mund të rezultojë në një qeveri të formuar nga partitë opozitare...(Formimi i qeverisë nga opozita) Është e mundshme pasi i kanë numrat e mjaftueshëm që të bëjnë qeverinë me njëzet deputetët e pakicave apo vetëm me pakicat jo serbe”, thekson Bytyçi.
Krahas kësaj, ai komenton edhe humbjen e votave nga LVV-ja në krahasim me zgjedhjet 2021 dhe ngritjen e votave nga partitë opozitare, veçmas PDK-ja.
Bytyçi: Humbja e votave nga VV pasojë e pakënaqësisë dhe mungesës së Osmanit
“Për katër vjet qeverisje krijohen disa pakënaqësi dhe partitë opozitare përfitojnë nga ajo dhe zakonisht ka një rritje të partive opozitare dhe ka siç u vërtetua një rënie të partisë në pushtet. Janë disa arsye. E para një përqindje e vogël e LDK-së që kishin votuar për shkak të Vjosa Osmanit janë kthyer te LDK-ja pasi ajo e mori postin e presidentes. Një pjesë tjetër e votuesve që kishin votuar në atë kohë për LVV-në mendoj se janë të zhgënjyer siç është vërtetuar...Dallimi mes këtyre dy partive(PDK-LDK) është pak më i madh sesa është pritur. PDK-ja ka performuar më mirë se LDK-ja. Është herët që të shpjegohet, por në bazë të disa sondazheve ka disa arsye. Mund të ketë qenë kandidati për kryeministër ose mungesa e reformave të mjaftueshme në LDK... Votat nga mërgata mund të bëjnë ndryshimin deri diku në dy deputetë. S’pres të ketë ndonjë ndryshim të madh pasi ato mund të reflektojnë rezultatin brenda vendit. Pra mund t’ia shtojnë një apo dy deputetë LVV-së”, tha Bytyçi.
Në bazë të deklaratave të kaluara Lëvizja Vetëvendosje ka përjashtuar çdo mundësi të koalicioneve me PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe.
Po ashtu edhe në PDK, LDK dhe AAK janë shprehur kategorikë kundër koalicionit me VV-në, derisa në PDK dhe AAK janë shprehur të hapura për të bashkëpunuar për të formuar qeverinë e ardhshme. Ndërkaq, në LDK kanë thënë se kjo parti vendos të hyjë në qeveri vetëm me Lumir Abdixhiku kryeministër.