​Hamza: Opozita gati për qeverinë nëse VV dështon

Aktuale

​Hamza: Opozita gati për qeverinë nëse VV dështon

Më: 10 shkurt 2025 Në ora: 17:13
Bedri Hamza

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, është shprehur kundër koalicionit me Lëvizen Vetëvendosje.

Në një konferencë për media, Hamza derisa ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë kësaj partie, ka thënë se nëse nuk mundet partia e parë të krijojë institucionet, opozita është e gatshme të marr qeverinë.

Një ditë pas zgjedhjeve, ai tha se LVV ka humbur një numër të madh të votave, derisa PDK ka shënuar rritje.

Hamza: VV i takon të provojë, opozita mund të merr qeverinë

“LVV ka humbur një numër të madh të votave, shumë qytetarë që kishin votuar në të kaluarën tash ia kanë kthyer shpinën. Ata erdhën kryesisht te ne në PDK dhe te LDK. Kryeministri në detyrë i paraqiti këto zgjedhje si një referendum për veten dhe qeverinë e tij, por qëllimi nuk u arrit. Ai kërkoi 500 mijë vota, por nuk i mori, nuk ia dhanë qytetarët. Sot shumica e qytetarëve shqiptarë që votuan nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë, qytetarët me vullnetin e tyre politik i kanë besuar opozitës, andaj në këto zgjedhje kanë fuqizuar partitë opozitare...Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me LVV-në. Kemi dallime të mëdha, ata duan pushtet absolut, nuk kanë as program dhe gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi dhe në studiot televizive për debate. Ata i ofenduan kundërshtarët politik, e përmes kësaj edhe qytetarët e Kosovës. Ata nxitën urrejtje, kurse ne bashkim dhe bashkëpunim. Do të punojmë që t’u japim qytetarëve qeverinë që kanë votuar shumica. Rezultati zgjedhor është që shumica e qytetarëve shqiptar duan një qeveri të re. Procedurat janë të qarta. Partisë së parë i takon të provojë t’i krijojë institucionet, për çka e respektojmë këtë procedurë, nëse nuk mundet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve mund të marrë qeverinë e re”, deklaroi Hamza.

I pyetur nëse do të diskutohet edhe çështja e zgjedhjes së presidentes, ai tha se kjo çështje është afat tjetër ligjor e kushtetues. Derisa sa i përket rënies së votave në disa komuna për PDK-në, ai ka thënë se nuk kanë garuar për komuna.

Hamza: Nuk kemi garuar për komuna, por për zgjedhje kombëtare

“Sa i përket kohës kur të vijë koha e zgjedhjes së presidentit është afat tjetër ligjor e kushtetues. Është mirë, është e shëndetshme, që vendi të mos ketë vakum institucional, për shkak se mungesa e institucioneve e pengon zhvillimin ekonomik, dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Rezultatet dihen, partia parë që ka fituar vota më së shumti, e dyta, por dihet kush është rrit dhe kush është zvogëluar. Ne presim që të kemi më shumë se 200 mijë vota, është rritje jashtëzakonisht e madhe në raport me 2021...Sa i përket komunave, nuk kemi garuar për komuna, por për zgjedhje kombëtare, dhe në këtë rast PDK është rritur prej 148 mijë vota sa i ka pasur në vitin 2021, dhe pritet t’i ketë mbi 200 mijë vota”, ka thënë Hamza.

Hamza ka komentuar edhe rënien e sistemit të KQZ-së ditën e zgjedhjeve.

Hamza: Dështimi i sistemit s’ka qenë i mirë, besoj në korrektësinë e procesit

“Dështimi i sistemit nuk ka qenë i mirë, për shkak se qytetarët e kanë pritur rezultatin. Dua të besoj në korrektësinë e procesit dhe vota të shkojë atij që qytetari e ka qitur në kutinë e votimit”, përfundoi Hamza.

Në bazë të dhënave preliminare dhe numërimit të 96.88 për qind të votave nga ana e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit me 41.10 për qind të votave, pasuar nga PDK me 22.25 për qind, LDK me 17.77, AAK 7.46 për qind dhe Lista Serbe 4.01 për qind. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat