Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar pozitivisht mbarëvajtjen e zgjedhjeve, por ka tërhequr vërejtjen mbi parregullsitë dhe vonesat, teksa ka kërkuar nga KQZ-ja më shumë transparencë në procesin e numërimit të votave, veçanërisht ato për kandidatët dhe votat e diasporës.
Në një konferencë për media sot, Eugen Cakolli nga Koalicioni Demokracia në Veprim (DnV) deklaroi se procesi zgjedhor është zhvilluar përgjithësisht i qetë, por ka pasur parregullsi që është dashur të adresoheshin më herët nga KQZ, si fshirja e ngjyrës në gishtat e votuesve.
Ai theksoi se edhe pse gjatë ditës së votimit nuk janë raportuar incidente serioze, problemet teknike pas mbylljes së vendvotimeve kanë ndikuar negativisht në besueshmërinë e publikut dhe kanë lënë një shije të hidhur për procesin zgjedhor.
Cakolli: Problemet teknike të KQZ-së kanë zbehur besueshmërinë e publikut
“Në radhë të parë DnV vlerëson që procesi zgjedhor i deritanishëm është zhvilluar në përputhje me standardet për zgjedhje të lira. Procesi i votimit dhe numërimit është zhvilluar qetë, me interesim i lartë i votuesve, duke pasur parregullsi që është dashur të sanohen më herët nga KQZ, si fshirja e ngjyrës. Gjatë ditës së djeshme nuk janë raportuar incidente, megjithatë për shkak të problemeve teknike nga KQZ disa orë pas mbylljes, DnV konsideron që ky zhvillim ka zbehur besueshmërinë e publikut - shije e hidhur”, tha ai.
Cakolli tha se fushata zgjedhore ka qenë dinamike, por e shoqëruar me shkelje nga subjektet politike, ku vlera e gjobave kap shifrën mbi 600 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Parashtresa dhe Ankesa.
Cakolli kërkoi që KQZ të ofrojë më shumë transparencë në procesin e numërimit të votave, veçanërisht për votat e kandidatëve dhe të mërgimtarëve, duke theksuar se ky proces mund të zgjasë për disa ditë, por duhet të nisë menjëherë për të shmangur vonesa të mëtejshme.
Cakolli: Do të vonohet certifikimi i rezultateve
“Ajo çfarë bie në sy është interesimi i lartë i mërgimtarëve...06:29 Dështimet dhe problemet e shumta gjatë transportit kanë ngjallur dyshime, sa i përket numërimit të votave të kandidatëve, fatkeqësisht sot është raportuar që kanë pasur vonesa për të filluar këtë proces. Ky proces është dashur të fillojë sot në ora 08:00 në mëngjes. KQZ nëpër qendra komunale të numërimit, përveçse do t’i numërojë votat e kandidatëve, do të validojë për të arsyetuar rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në nivel vendi. Nga pikëpamja jonë kjo gjë do tëvonojë procesin e certifikimit të rezultateve përfundimtare,” ka deklaruar Canolli.
Kujotjmë, Lëvizja Vetëvendosje konsiderohet fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, por me fuqi të dobësuar në relacion me zgjedhjet e kaluara si dhe pretendimet e tyre për 500 mijë vota.