Kryetari i Degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, është shprehur i kënaqur me rritjen e mbështetjes që ka marrë partia në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke e cilësuar këtë rezultat si një rikthim të PDK-së në skenën politike lokale.
Sipas Rashitit, mbi 8 mijë qytetarë të Gjilanit kanë votuar për PDK-në, një rritje prej 2,500 votash krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Ai vlerësoi procesin zgjedhor si të qetë dhe demokratik, ndërsa theksoi se mbi 10 mijë gjilanas ia kanë tërhequr besimin pushtetit aktual të VV-së, për shkak të, siç tha ai, dështimeve në projektet kapitale dhe keqpërdorimeve gjatë mandatit qeverisës.
“Pas 15 vitesh, për herë të parë në Gjilan kemi shënuar rritje si subjekt politik, falë unitetit në degë, reformës së brendshme dhe angazhimit të anëtarëve tanë. Energjia dhe motivimi i strukturës sonë na bëjnë edhe më të vendosur për fitoren e ardhshme në zgjedhjet komunale”, ka deklaruar Rashiti.
Ai gjithashtu ka falënderuar qytetarët, aktivistët dhe kandidatët për deputetë për fushatën pozitive, duke theksuar se puna për zgjedhjet komunale fillon menjëherë. “Bashkë jemi më të fortë dhe mund ta rikthejmë PDK-në në udhëheqjen e Gjilanit”, përfundoi ai.