Të martën më 18 shkurt, mbahet konferenca ndërkombëtare "E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë dhe diplomacisë publike" në Universitetin amerikan të njohur për studime ndërkombëtare dhe diplomatike Elliott School of International Affairs.
Konferenca synon të sjellë një debat të thelluar mbi marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës, rolin e diplomacisë publike dhe ndikimin e saj në të ardhmen e vendit.
Kjo konferencë organizohet nga Jeta Abazi Gashi (Universiteti i Prishtinës) në bashkëpunim me profesor Babak Bahador dhe mbështetet nga Instituti për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike Elliott School, dhe mbledh ekspertë të njohur nga fusha e politikës, diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, mediave dhe artit.
Në panelin e parë Marrëdhëniet SHBA-Kosovë dhe Diplomacia Publike marrin pjesë Elez Biberaj, ish-drejtor i Divizionit të Eurazisë të Zërit të Amerikës, Pëllumb Kelmendi, profesor i asociuar i Shkencave Politike në Universitetin Auburn, Drilona Emrullahu, ekonomiste, Banka Botërore. Aty do të shqyrtohen marrëdhëniet 25-vjeçare mes SHBA-së dhe Kosovës.
Ilir Dugolli, ambasador i Kosovës në SHBA, Charles Kupchan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Universiteti Georgetown dhe Jeta Abazi-Gashi, hulumtuese dhe bursiste e Fulbright, Universiteti George Washington (nga Universiteti i Prishtinës) janë pjesë e panelit të dytë E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë dhe diplomacisë publike, e cila shqyrton trajektoren e marrëdhënies në një botë gjithnjë e më shumëpolare.
Paneli i tretë Ndërtimi i Paqes (Art, Media dhe Politikë) shqyrton perspektivat për paqen dhe stabilitetin afatgjatë për Kosovën. Pjesëmarrës të panelit janë Sislej Xhafa, artist kosovar nga Nju Jorku, Elizabeth Hume, drejtoreshë ekzekutive në Aleancën për Ndërtimin e Paqes, Gëzim Visoka, profesor i asociuar, Universiteti i Qytetit të Dublinit (DCU).