Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot në Qendrat Komunale të Numërimit, do të fillojë procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, tha se gjatë këtij procesi, ashtu siç parashihet edhe me Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së 16/2024 për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.
“Pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ do shpall rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë”, tha ai.
Nga këto votime do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.