Dëshmitari Sylejman Selimi pohoi se deri në pranverë të vitit 1998 nuk kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Këtë pohim, dëshmitari e bëri gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mishetiq fillimisht e pyeti dëshmitarin se çfarë ishte Grupi i Prekazit, ku ishte i përfshirë edhe vetë Sylejman Selimi.
Ai tha se ky grup kryesohej nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari, Hamëz Jashari dhe disa shokë të tjerë.
“Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Fadil Kodra, Nuredin Lushtaku, Zenun Kodra”, tha Selimi, kur u pyet se kush tjetër përveç tij bënte pjesë në këtë grup.
Dëshmitari u pyet gjithashtu se a është e vërtetë që ka thënë se më ’97-ën ka dëgjuar për një Shtab të Përgjithshëm.
“Gjithmonë kam dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, por nuk i kam njohur dhe nuk e di se ku e kanë pasur selinë”, u përgjigj dëshmitari Sylejman Selimi.
Selimi tha se publikisht si pjesëtar i UÇK-së ka dalë më 30 janar të 1997-ës, ndërsa kyçja e tij në këtë strukturë ka qenë më herët.
Dëshmitari u përgjigj me “e saktë” kur u pyet se a është e vertetë që nga ’97-ta deri në mars të ’98-ës ka pasur vetëm një autoritet mbi të, e që ai ka qenë Adem Jashari.
“Adem Jashari ka qenë gjithmonë prijësi dhe komandanti kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Sylejman Selimi.
Përgjigja e tij nuk u dëgjua kur u pyet se a ka pasur ndonjë njohuri për ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë të dëshmitarit me ndonjërin prej personave në Shtabin e Përgjithshëm.
“Ka mundësi që jam taku me disa persona por nuk e kam ditë asnjëherë se çfarë pozicioni kanë edhe nuk e kam ditë. Më vonë e kam ditë që kanë qenë pjesëtarë ose anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm”, u përgjigj Selimi kur u pyet për kontaktet e tij me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm.
Sipas Mishetiq, në një deklaratë dëshmitari kishte thënë se në këtë kohë nuk kishte ndonjë strukturë të mirëfilltë të UÇK-së dhe as nuk kishte zona e as grupe.
Dëshmitari pohoi se kjo është një përshkrim i saktë i UÇK-së deri në fillim të ’98-ës.
Veç kësaj, ai pohoi se është e saktë të thuhet që ai së bashku me 10-15 ushtarë ishin vendosur nga Adem Jashari që ta mbronin një fshat të vetëm të Drenicës, e që ishte Açareva, konkretisht vendlindja e dëshmitarit.
Pas kësaj, Mishetiq tha se dëshmitari ka deklaruar se deri në pranverë të ’98-ës nuk kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave.
“E saktë është”, tha dëshmitari.
Selimi pohoi se si zonë fshatarët janë mobilizuar që të mbrojnë fshatrat, duke u formuar në grupe të ndryshme dhe se vetë e kanë zgjedhur komandantin e zonës.
“Në Zonën e Drenicës ka pas edhe disa grupe apo shokë të tjerë që kanë pasur edhe ata disa ushtarë të vet dhe i gjithë këtyre grupeve dhe individëve është ardhë deri tek një propozim për komandant Drenice. Në atë kohë janë quajtë pika ose edhe me shifra të ndryshme si Shkoza, ku kam qenë unë e kështu me radhë. Është e saktë”, tha dëshmitari.
Ndryshe, Mishetiq njoftoi se sa i takon kohës, pyetjet e tij do të përfundojnë më shpejtë se sa që e kishte planifikuar.
Avokati i Veselit: Prokuroria po vepron si avokat mbrojtës, një grumbull dokumentesh kanë ardhur nga Beogradi
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të martën po vazhdon dëshminë Sylejman Selimi, i cili është dëshmitari i 121-të në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjatë kundërshtimeve të tij për pranimin e disa dokumente në prova materiale, mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon tha se Prokuroria po vepron si avokat mbrojtës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai shtoi së shumë dokumente kanë ardhur nga Beogradi dhe se Prokuroria duhet ta gjejë personin që i ka sjellë ato dhe prejardhjen e tyre.
“Ky është një grumbull dokumentesh që kanë ardhur nga Beogradi. Nuk e dimë se çfarë është kronologjia, janë pranuar disa dokumente dhe dëshmitari nuk lidhet drejtpërsëdrejti me dokumentet që nuk janë pranuar. Prokuroria duhet ta ndjeki procedurën e saktë, të gjejë personin që i ka sjellë dokumentet dhe të gjej prejardhjen e dokumentit, por ky nuk është dëshmitari që mund të shfrytëzohet për pranimin e këtyre dokumenteve. Nuk është mënyra e saktë kjo. Ua tash edhe më herët që Prokuroria po vepron si avokat mbrojtës”, tha Dixon.
Fillimisht, kur u pyet për një person me emrin Zarko Milograspasiq, dëshmitari Selimi tha se është hera e parë që po dëgjon për të.
Ndërsa, për Miroslav Suleniq dhe Dejan Stojkoviq, dëshmitari nuk u dëgjua se çfarë u përgjigj.
Sipas prokurorit Matt Halling, një provë materiale tregonte se Vladimir Spasiq është marrë në punktin “Pëllumbi” dhe i është dërguar Sahit Jasharit si komandant i Policisë Ushtarake në Zonën Operative (ZO) të Drenicës.
“Nuk e di që ka pas ndonjë rast të tillë. Nuk mës kujtohet që ka pasur ndonjë rast të tillë”, tha dëshmitari lidhur me këtë.
Më pas, prokurori pyeti se çfarë masash janë marrë nga komandant i Policisë Ushtarake në rast që do të kishte transferime të tilla nga një punkt i ndonjë njësie tek komandanti i Policisë Ushtarake në ZO të Drenicës.“Hipotetikisht nuk kam dëgju që ka pas ndonjë rast të tillë. Nuk e di se çfarë do të ndodhte, por nuk e di që ka pas ndonjë rast ë tillë që është evidentuar ose unë nuk kam njohuri”, tha Selimi.
Prokurori sçrish insistoi në pyetjen e tij, duke kërkuar të tregonte se në rastet e ngjashme se çfarë do të ndodhte.
“Nuk e di që ka pasur ndonjë sanksionin për një rast të tillë ose raste të ngjashme”, tha dëshmitari Selimi.
Ndërsa prokurori Halling prapë pyeti se a ka pasur bazë në Zonën Operative të Drenicës për trajtimin e rasteve të tilla.
“Unë po them që kësi raste se di që kanë ndodhur”, insistoi dëshmitari Selimi.
Si rrjedhojë, prokurori i vendosi dëshmitarit një material filmik ku tregonte Zarko Milograspasiq, Miroslav Suleniq dhe Dejan Stojkoviq të shfaqur në segmente të ndryshme të videos.
Në video dëgjoheshin pyetje si “Kur ke dëgju për herë të parë për UÇK-në? Kush është UÇK-ja për ty? Çfarë mendon për popullin shqiptar? Çfarë mendon për politikën serbe? Çfarë mendon për Sllobodan Millosheviqin? Çka mendon për masakrat e policisë serbe të ushtruara mbi popullin shqiptar?”.
Përgjigjet e këtyre pyetjeve një person i dha në gjuhën serbe. Ndërsa prokurori dha shpjegim për videon dhe deklaratën e personit që foli në serbisht.
“Kjo video ka të njëjtat pyetje që shfaqen në materialet që lidhen drejtpërsëdrejti më zonën tuaj dhe Policinë Ushtarake. Ky burrë po pretendon se ka qenë i burgosur aty dhe ju keni qenë komandant i zonës aty dhe po vazhdoni të thoni që ju nuk keni pasur njohuri që kanë ndodhur gjëra të tilla”, tha Halling.
“Nuk po kallëzon që është në Drenicë, mirëpo edhe me qenë në Drenicë, për këtë rast është hera e parë që po dëgjoj. Edhe këto pyetje nuk e di kush i ka shkru në këtë fletë dhe kush i ka ba ato pyetje siç i thash edhe më herët”, tha dëshmitari Selimi.
“Ai thotë nga momenti që më ndaloi UÇK-ja. Ëhsë pjesë e një videojë me persona që iu dhanë Sahit Jashrit- komandantit të Policisë Ushtarake që ju that që ishte i stacionuar në Likoc dhe ju thoni që nuk e dini që ka ndodhur kjo”, tha prokurori.
“Aty po shkruan, por duhet me e ditë se në cilin vend është i incizum”, tha dëshmitari tutje.
Selimi u pyet se a është dënuar nga EUEX-i për lëndën “Drenica 2” për ndalimin e personave në Likoc. Por, këto pyetje i kundërshtoi mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Rodney Dixon.
“E kundërshtoj këtë pistë pyetjesh se po duket që ka dalë një avokat mbrojtës këtu. Ky është prokurori dhe po i bën pyetjet një dëshmitari edhe ky është dëshmitar për vërtetësinë e përmbajtjes. Kundërshtoj mënyrën se si po bëhen pyetjet”, tha Dixon.
Por, u rrëzua kundërshtimi i Rodney Dixon nga trupi gjykues dhe prokurori vazhdoi me pyetjet e tij për këtë çështje.
Më pas, Selimi u pyet se a u apelua dënimi dhe a shkoi në Gjykatë Supreme, por përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua.
Kur u kërkua që të pranohen disa dokumente në prova materiale, Dixon deklaroi që dokumentet kanë ardhur nga Beogradi dhe kërkoi që të identifikohet personi që i ka sjellë e po ashtu edhe prejardhja e dokumentit.
Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se këto dokumente do të marrin një numër provizor dhe do të vendoset më vonë për pranueshmërinë e tyre.
Ndryshe, në fillim të dëshmisë, iu prezantua një dokument për të cilin ai tha se mban shkrimin e dorës së tij (Selimit). Prokurori Halling u fokusua tek një pjesë e shkrimit që ishte e palexueshme, për të cilën dëshmitari Selimi tha se shkruhej emri i tij dhe i zëvendësit të tij, Sami Lushtaku. Po ashtu, në një pjesë sipas tij shkruhej “101” që ishte shifër e tij gjatë luftës.
Sipas prokurorit, në këtë dokument kërkohej armatim modern dhe mjete të kalibrit të lartë.
“Nuk e di, por në fillimin e luftës u kanë e ditur dhe nuk është marrë kurrkush me ta edhe pse ka qenë”, tha dëshmitari kur u pyet se a ishte Rexhep Kurti mbështetës i Sllobodan Millosheviqit.
Me kaq përfundoi pyetjet prokurori Matt Halling për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Hashim Thaçit të përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.
Një pjesë e seancës u zhvillua e mbyllur për publikun, ndërkohë që prokurori Halling parashtronte pyetje për dëshmitarin Selimi.
Në fillim të seancës, për shkak të mungesës së informacionit dhe origjinën e tij, e po ashtu faktin që dëshmitari nuk ishte në gjendje të fliste për të, trupi gjykues nuk pranoi në prova materiale një dokument për të cilin ZPS-ja tha se është marrë nga burim i hapur në internet.
Po ashtu, as një dokument tjetër nuk u pranua me arsyen e njëjtë, e që dëshmitari nuk dinte për të dhe për përmbajtjen e atij dokumenti.
Gjykatësi Smith njoftoi se katër të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Po ashtu, vlen të theksohet se seanca e sotme ka qenë me shumë probleme teknike në transmetim.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.