Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dëshminë e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimi. Në fillim të seancës, avokati i Kadri Veselit kundërshtoi pranimin e disa dokumenteve si prova materiale duke thënë se shumë dokumente kanë ardhur nga Beogradi.
“Prokuroria po vepron si avokat mbrojtës”, tha avokati Rodney Dixon.
Pasi prokuroria përfundoi pyetjet për dëshmitarin Sylejman Selimi, kërkoi pranimin e disa faqeve si provë materiale.
Hoëling Kërkojmë të pranohen disa faqe të mbetura
“Do të kërkonim që të pranoheshin faqet e mbetura që nuk janë pranuar. Ne kemi diskutuar disa nga faqet e tjera me ketë dëshmitar ku përfshihet një faqe që ka shkruar ai dhe personat që ai ka dalluar nga këto faqe, nuk e di si mund t’i lidhim këto faqe me provat e tjera që janë pranuar, kërkesa jonë është të pranohen faqet e mbetura”, tha prokurori Mathew Howling.
Kjo u kundërshtua nga avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon.
Ai tha se Prokuroria duhet ta gjejë personin që i ka sjellë ato dokumente si dhe prejardhjen e tyre.
Dixon: Prokuroria po vepron si avokat mbrojtës
“Kundërshtojmë, ky është një grumbull dokumentesh që ka ardhur nga Beogradi, nuk e dimë çfare është kronologjia, janë pranuar disa nga dokumentet, megjithatë dëshmitari nuk lidhet drejtpërdrejt me dokumentet që nuk janë pranuar. Prokuroria duhet të ndjek procedurën e saktë, të gjejë personin, që i ka sjell dokumentet, të gjejë prejardhjen e dokumenteve por ky nuk është dëshmitari që mund të shfrytëzohet për pranimin e këtyre dokumenteve. Nuk është mënyra e saktë kjo. Prokuroria këtu po vepron sikur është avokat mbrojtës. Le të sjell dëshmitarin përkatës për këto materiale”, tha mbrojtja e Veselit.
Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se dokumentet do të shënohen me një numër provizor dhe për të njëjtat do të vendoset më vonë.
Pas kësaj, ka filluar intervistimi i Selimit nga avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.
Selimi e ka nisur dëshminë të hënën, si dëshmitar me kodin 04290 dhe atij i është dhënë garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij.
Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka nisur në prill të vitit 2023 ndërkaq ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit prej nëntorit të vitit 2020.
Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime të pretenduara të luftës.
Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.