Gazetari i medias gjermane, Deustche Welle, Bahri Cani, ka komentuar takimet që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po i zhvillon në Francë.
Ai përmes një postimi në Facebook i vlerësoi këto takime të Osmanit, ku po takohet me lider të ndryshëm ndërkombëtarë.
“Është mirë që dëgjohet emri i Kosovës dhe flitet për raportet diplomatike e ekonomike si dhe mbështetjen e Kosovës, qoftë edhe me disa fjalë, qoftë edhe formalisht, mendoj unë”, shkroi Cani, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Mund të thotë dikush se janë takime joformale, jozyrtare, por mua personalisht më vjen shumë mirë që presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu po shfrytëzon edhe këto raste, si kjo darkë e shtruar nga presidenti Macron në pallatin Élysée në Paris, në prag të Samitit ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale (AI), për të takuar shumë liderë dhe për të promovuar vendin e saj. Në veçanti tani kur i gjithë spektri politik është i zënë me votimet, është vërtet shumë mirë që presidentja Osmani takohet dhe shtrinë dorën me presidentin Macron, zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, kryeministrin indian Narendra Modi, atë kanadez Justin Trudeau, e shumë liderë të tjerë botëror. Është mirë që dëgjohet emri i Kosovës dhe flitet për raportet diplomatike e ekonomike si dhe mbështetjen e Kosovës, qoftë edhe me disa fjalë, qoftë edhe formalisht, mendoj unë.