Kosova ka bërë një përmirësim të ndjeshëm në renditjen e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të publikuar nga Transparency International.
Sipas raportit, vendi ynë është rritur me 11 pikë, duke arritur një total prej 44 pikësh, ose me një ndryshim prej 3 vende më lartë, krahasuar me vitin e kaluar.
Kjo i bije që Kosova renditet në vendin e 73-të nga 180 vende.
Shqipëria është përmirësuar ndjeshëm në renditjen e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, publikuar nga Transparency International. Vendi ynë është rritur me 5 pikë për vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, ndërsa në total numëron 42 pikë, nga 100 që janë pikët maksimale.
Në Shqipëri vlerësohen përmirësimet në sistemin e drejtësisë, teksa raporti shkruan se prokuroria dhe gjykatat e specializuara kundër korrupsionit (SPAK) kanë fituar besimin e qytetarëve pasi kanë dënuar ish-ministrat, anëtarët e Parlamentit dhe kryetarët e bashkive. “SPAK vazhdon të hetojë një ish-president, ish-kryeministër dhe zyrtarë të tjerë publikë të nivelit të lartë”, thuhet në raport.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit mat perceptimin e korrupsionit të sektorit publik, sipas ekspertëve dhe biznesmenëve. Rezultati i çdo vendi është një kombinim i të paktën 3 burimeve të të dhënave të nxjerra nga 13 sondazhe dhe vlerësime të ndryshme.
Në raport theksohet se qasja gjysmake e Malit të Zi (46) ndaj reformave ka lënë të pazgjidhur kapjen e gjyqësorit, gjë që rrezikon të minojë përparimin e bërë nga Prokuroria e Posaçme e Shtetit dhe të vazhdojë pandëshkueshmërinë për zyrtarët e lartë.
Maqedonia e Veriut ka një rezultat prej 40 këtë vit, me një ndryshim prej -2 nga viti i kaluar, që do të thotë se renditet në vendin e 88-të nga 180 vende.
Duke vlerësuar 180 vende në mbarë botën, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit është treguesi kryesor global i korrupsionit në sektorin publik.