Eugen Cakolli nga KDI-ja ka paraqitur një grafikon bazuar në rezultatet e subjekteve politike dhe ndarjen e 20 ulëseve të rezervuara për komunitetet joshumicë në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb, 9 do t’i ketë Lista Serbe, ndërsa 1 ulëse Partia e Nenad Rashiqit.
Për komunitetin boshnjak, gjithnjë sipas tabelës së publikuar nga Cakolli, 3 ulëse do t’i takojnë atyre, tri parti nga një mandat, Nova Demokratska Stranka, Koalicija Vakat dhe Socijaldemokratska Unija.
Dy mandate do t’i takojnë komunitetit turk dhe partisë, Kosova Demokratik Türk Partisi.
Komuniteti egjiptian pritet t’i ketë dy ulëse, dy parti të ndryshme me nga një deputet, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Partia Liberale Egjiptiane.
Një ulëse do t’i takojë komunitetit rom nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Një ulëse do të ketë komuniteti ashkali me Partinë e Ashkalinjëve për Integrim dhe një ulëse për komunitetin goran nga Jedinstvena Goranska Partija.
Ai ka sqaruar se për dallim nga partitë shqiptare, për partitë e komuniteteve joshumicë nuk aplikohet prag zgjedhor dhe mandatet ndahen sipas metodës D’Hondt, brenda kuotës së paracaktuar për secilin komunitet.
“Për shkak të numrit minimal të votave për partitë e komuniteteve joshumicë nga votimi jashtë vendit, si dhe prirjes që votat me kusht të ndjekin trendin e votave të rregullta, ka fare pak gjasa që të ketë rezultate ndryshe zgjedhore - përveç në rast të vendimeve gjyqësore”, ka shkruar Cakolli.