Kështu pritet të shpërndahen ulëset në Kuvend, por a mund të ketë ngërç politik?

Aktuale

Kështu pritet të shpërndahen ulëset në Kuvend, por a mund të ketë ngërç politik?

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 17:09
Foto ilustrim

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 25, Lidhja Demokratike 20, koalicioni AAK-Nisma me tetë deputetë, si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.

Megjithatë, me numërimin e rreth 100 mijë votave nga diaspora dhe atyre me kusht, partia e Albin Kurtit, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, konsiderohet se mund t’i fitojë edhe dy deri në tre deputetë më shumë - varësisht prej përqindjes së fitimit të votave nga diaspora.

Pavarësisht kësaj, nga analistët politikë konsiderohet se LVV-ja do ta ketë të vështirë të formojë e vetme qeverinë. Sipas tyre, një koalicion mes LVV-së dhe partive të tjera shqiptare është vështirë i mundshëm. Rrjedhimisht, mund të ketë një ngërç në formimin e qeverisë së ardhshme.

KQZ ka numëruar 99.17 qind për qind të votave nga 2,512 qendra votimi nga gjithsej 2.533, sipas të cilave vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje me 40.83 për qind ose 339 mijë 350 vota.

PDK-ja renditet e dyta me 22.15 për qind ose 184 mijë e 40 vota, LDK-ja e treta me 17.59 për qind ose 146 mijë 241 vota, ndërkaq, AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal renditet subjekti i katërt me 7.47 për qind ose 62 mijë e 66 vota.

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli tregon për KosovaPress - në bazë të këtyre rezultateve - sa deputetë mund të marrin partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

Ai jep edhe skenarin se si Lëvizja Vetëvendosje mund t’i fitojë 51 deputetë dhe me ndihmën e komuniteteve jo serbe në Kuvend ta formojë qeverinë.

“Përbërja e Kuvendit do të jetë e tillë që Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i kenë 47 deputetë, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 25 deputetë, Lidhjes Demokratike të Kosovës me 20 deputetë, si dhe koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe disa parti të tjera pritet t’i kenë tetë deputetë. Megjithatë, fakti që kemi rreth 100 mijë vota ende në kalkulim, përfshirë 80 deri 90 mijë vota të cilat janë duke ardhur nga jashtë vendit dhe të paktën 20 mijë vota nga votimi me kusht, rezultati mund të kenë ndryshime por duhet theksuar se do të jenë margjinale. Votat e diasporës në versionin më pozitiv për ndonjë parti, në këtë rast për LVV-në që ka trend më të mirë sesa brenda vendit mund të jetë dy deri të tre deputetë maksimalisht. Madje tre deputetë apo katër për t’i bërë 51 mandate i bie që duhet të fitojë gati 90 apo 100 për qind të votave të diasporës. Kjo është më e pamundur. Në skenarin më realist kur LVV-ja do t’i marrë 60 apo 70 për qind të votave, siç ka bërë rëndom, atëherë numri i mandateve të LVV-së mund të arrijë deri 49. Por kjo nuk është e sigurt, në varësi sesi do të performojnë PDK-ja dhe LDK-ja. Pra LVV-ja në këto zgjedhje do të ketë një rezultat që varion 47-49 deputetë maksimalisht”, thekson Cakolli.

Në anën tjetër, analistja politike, Magbule Shkodra thotë për KosovaPress se fjalori i ashpër i Kurtit në fushatë kundër PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, tregon se ai nuk dëshiron koalicion me asnjërën parti.

Sipas saj, rënia në vota e LVV-së dhe mossigurimi i numrave të nevojshëm në Kuvend, mund të sjell vendin në një situatë të paqartë dhe krizë politike.

“Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve me atë çka kam parë nga paraqitjet e zotëri Kurtit dhe veçanërisht në atë në orën 00:00 të natës në ditën e zgjedhjeve, duket se ai nuk dëshiron të bashkëpunojë me opozitën dhe i ka mbyllur derën opozitës dhe dëshiron të qëndrojë i vetëm. Kosova se ka luksin që të shkojë në ndonjë ngërç politik, ku do të mbesim të bllokuar dhe pa qeveri, ndërsa në anën tjetër jemi në një momentum të rëndësishëm. Nëse shohim një fotografi më të gjerë politike se çka po ndodh në botë, ne nuk e kemi luksin që të jemi pa qeveri dhe persona përgjegjës që i prijnë shtetit të Kosovës”, deklaron Shkodra.

Mirëpo, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress se rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit është i qartë dhe se krizë politike mund të ketë vetëm nëse partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje e dëshiron një gjë të tillë.

Sipas tij, LVV-ja e ka primatin për të formuar qeverinë dhe se numrat i ka në Kuvend që bashkë me pakicat, përfshirë Listën Serbe të themelojë qeverinë.

“Është shumë thjeshtë dhe qartë. Kemi Kushtetutën, janë disa rregulla, ku partia e parë e ka primatin për të udhëhequr lojën dhe numrat janë aty. LVV-ja i ka numrat për ta bërë qeverinë me pakicat dhe Listën Serbe. LVV-ja duhet të bëjë qeverinë dhe duhet të krijohet një standard dhe kur janë numrat aty është edhe më e lehtë. Krizë ka vetëm nëse ne dëshirojmë të shohim krizë. Numrat janë aty, LVV-ja është partia e parë dhe ajo mund të bëjë qeverinë me pakicat, përfshirë Listën Serbe”, thekson Arifi.

Në bazë të rezultateve të deritanishme nuk është mohuar mundësia që partitë opozitare, PDK, LDK, AAK së bashku me komunitetet jo shumicë, të formojnë qeverinë, dhe Lëvizja Vetëvendosje - përkundër fitores në zgjedhje - të mbetet në opozitë.

Gatishmërinë për një gjë të tillë e kanë shprehur në PDK dhe AAK, ndërkaq në LDK kanë thënë se do të dalin me një qëndrim pas diskutimeve me struktura.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat