Përfaqësues politikë të komuniteteve pakicë joserbe në Kosovë, të cilët, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës, do të mbështesnin - parimisht - cilindo mandatar për formimin e qeverisë së re, pavarësisht nëse do të vinte nga partia aktuale në pushtet, Vetëvendosje, apo nga partitë opozitare.
Disa nga ata, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, kanë kushte për mbështetjen e kandidatit të ri për kryeministër, ndërsa të tjerë nënkuptojnë mbështetje të pakushtëzuar për cilëndo qeveri.
Në bazë të 99 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, përkatësisht 47 nga 120 vendet parlamentare - megjithatë, jo mjaftueshëm për të formuar qeverinë e vetme.
Sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë 25 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 8.
Këto shifra mund të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës.
Pas shpalljes së fitores në zgjedhjet e së dielës, Kurti tha se Vetëvendosja do ta formojë në mënyrë të pavarur qeverinë, që do të thotë se votat e komuniteteve pakicë mund të jenë vendimtare për zgjedhjen e saj.
Me shumë mundësi, e ashtuquajtura “qeveri e pakicës” do të formohej edhe nëse mandatar për kryeministër do të ishte dikush nga partitë aktuale opozitare, sepse për të zgjedhur një qeveri, duhen 61 vota.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nga gjithsej 120 vende parlamentare në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë - prej të cilave dhjetë për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë.
Kështu, komuniteti boshnjak i ka tri ulëse parlamentare, komuniteti turk dy, pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian (RAE) kanë nga një, një vend shtesë shkon për komunitetin nga radhët RAE që ka fituar më shumë vota, dhe një vend parlamentar i takon komunitetit goran.
Kush nga pakicat ka hyrë në Kuvendin e Kosovës?
Bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve, Lista Serbe - partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit - fitoi nëntë ulëse parlamentare, ndërsa një e fitoi Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, ministër në Qeverinë e Albin Kurtit.
Kur bëhet fjalë për dhjetë vendet e garantuara për komunitetet e tjera joshumicë, Partia Demokratike e Turqve të Kosovës fitoi dy ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa, nga komuniteti boshnjak, Partia e Re Demokratike, Koalicioni Vakat dhe Bashkimi Socialdemokrat fituan nga një ulëse.
Nisma e Re Demokratike e Kosovës, që përfaqëson komunitetin egjiptian, fitoi një ulëse. Ky komunitet mori më së shumti vota nga RAE, kështu që Partia Liberale e Egjiptianëve fitoi një mandat tjetër parlamentar.
Gjithashtu, Partia e Ashkalinjve për Integrim fitoi një ulëse, Partia e Bashkuar Rome e Kosovës një dhe Partia e Bashkuar Gorane një.
Për kë do të votojnë pakicat?
Duda Bale nga Lidhja Socialdemokrate Boshnjake e Kosovës thotë se hyn në Kuvendin e Kosovës për t’i mbrojtur interesat e komunitetit boshnjak dhe se vota e saj e mbështetjes do t’i shkojë kandidatit për kryeministër që do t’i plotësojë kushtet e këtij komuniteti.
Një prej kushteve kryesore, sipas Bales, është formimi i komunës së Zhupës me shumicë boshnjake.
Bazuar në regjistrimin e popullsisë në vitin 2024, komuniteti boshnjak në Kosovë është i dyti më i madhi dhe përbën rreth 1.69 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Për ta mbështetur Qeverinë e re të Kosovës, Bale thotë se duhet të marrë garanci nga kryeministri i mandatuar se do të bëhen më shumë investime në zonat ku jetojnë boshnjakët dhe se do të ketë një reformë të sistemit arsimor në mësimdhënien në gjuhën boshnjake.
“Ne jemi këtu për komunitetin tonë, jemi pakicë. Puna ime dhe detyrimi im moral është ta mbështes komunitetin tim. Për mua është e rëndësishme që vetëm kërkesat e boshnjakëve të vihen në tavolinë dhe të diskutohen. Cilitdo mandatar për kryeministër që vjen, do t’i vendosen kushtet”, thotë Bale për Radion Evropa e Lirë.
Rasim Demiri nga Koalicioni Vakat thotë se është ende herët të mendohet se cili kandidat për kryeministër të përkrahet dhe në çfarë kushtesh, por shton se një vendim i tillë do të shqyrtohet me kujdes.
“Pasi ta përfundojmë procesin zgjedhor, do të shohim se si dhe në çfarë mënyre do të qasemi. Çdo vendim që merret, do të merret në favor të komunitetit boshnjak”, thotë Demiri për Radion Evropa e Lirë.
Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike nuk ishte në dispozicion për koment. Në Qeverinë e Kurtit ajo ishte zëvendëskryeministre për komunitetet pakicë.
Albert Kinolli nga Partia e Bashkuar Rome e Kosovës thotë se do t’i japë mbështetje të pakushtëzuar Qeverisë së re të Kosovës, pavarësisht se nga cila parti vjen mandatari për kryeministër.
“Për ne është e rëndësishme që të gjitha organet e shtetit tonë të jenë funksionale, sepse populli i Kosovës e meriton. Së dyti, kushdo që do ta krijojë shumicën, ne do të jemi me të, do të jemi me ata që kanë shumicën për të formuar institucionet e Qeverisë së Kosovës”, thotë Kinolli për Radion Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me përfaqësuesit politikë të turqve, ashkalinjve dhe egjiptianëve.
Elbert Krasniqi, nga Nisma e Re Demokratike e Kosovës, e cila përfaqëson komunitetin egjiptian, ishte ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kurtit, ndërsa partia e tij ka përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje në periudhën parazgjedhore.
Kur i fitoi zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019, Kurti e formoi qeverinë me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, pikërisht me iniciativën e këtij partneri të koalicionit, ajo qeveri ra më pak se dy muaj pas formimit, për shkak të mosmarrëveshjeve për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.
Partitë aktuale opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë hedhur poshtë mundësinë e lidhjes së koalicionit me Vetëvendosjen. Një qëndrim të tillë e ka shprehur edhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë fushatës zgjedhore.
Ramush Haradinaj i AAK-së ka dalë edhe me idenë e formimit të qeverisë nga opozita, por ajo nuk ëshrë komentuar nga PDK-ja e LDK-ja./REL