Sylejman Selimi dëshmoi në ditën e dytë në Hagë

Aktuale

Sylejman Selimi dëshmoi në ditën e dytë në Hagë

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 17:52
Sulejman Selimi

Sylejman Selimi, ish-komandant i UÇK-së në zonën operative të Drenicës, ka vazhduar për të dytën ditë dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Kësaj radhe nga Selimi u kërkuan informacione rreth rastit Drenica 2, për çka edhe pati kundërshtime nga avokati i Kadri Veselit.

Ky i fundit tha se prokurori po vepron si avokat mbrojtës, ndërsa aludoi se një grumbull i dokumenteve janë sjellë nga Beogradi.

“Ju a jeni dënuar nga EULEX–i për lëndën Drenica 2 për ndalimin e personave në Likoc”, pyeti Matt Halling, prokuror i Specializuar.

Megjithatë, ndërhyri Rodney Dixon, avokat mbrojtës i Kadri Veselit.

“E kundërshtoj këtë pistë pyetjesh se tani po më duket sikur ka dalë një avokat mbrojtës këtu… Ky është një grumbull dokumentesh që kanë ardhur nga Beogradi. Nuk e dimë se çfarë është kronologjia, janë pranuar disa dokumente dhe dëshmitari nuk lidhet drejtpërsëdrejti me dokumentet që nuk janë pranuar. Prokuroria duhet ta ndjekë procedurën e saktë, të gjejë personin që i ka sjellë dokumentet dhe prejardhjen e dokumentit, por ky nuk është dëshmitari që mund të shfrytëzohet për pranimin e këtyre dokumenteve. Nuk është mënyra e saktë kjo. Ua thashë edhe më herët që Prokuroria po vepron si avokat mbrojtës”, tha Dixon.

Informacione Selimit iu kërkuan edhe rreth grupit të Prekazit, me ç’rast ai përmendi emrin e komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Përveç teje dhe Adem Jasharit, a mund të na thoni kush kanë qenë anëtarët e tjerë të GP”, pyeti Luka Misetiq, avokat mbrojtës i Hashim Thaçit.

“Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Fadil Kodra, Nuredin Lushtaku, Zenun Kodra”, u përgjigj Selimi.

Misetiq ka vazhduar me pyetje drejtuar Selimit, rreth strukturës organizative të UÇK-së.

"Në atë kohë nuk kishte nivele komanduese, flasim në pranverën e 98-së nuk ka pasur nivele komanduese mes ushtarëve në terren dhe Shtabit të Përgjithshëm”, tha Misetiq.

“Po është e saktë…”, u përgjigj Selimi.

Misetiq ka pyetur Selimin edhe lidhur me takimin e Thaçit dhe Rexhep Selimit.

"Në intervistën e Zërit këta persona rastisën që të ishin në Abrinë e Epërme, a mund të na tregoni si i takuat rastësisht?” pyeti Misetiq.

“Kanë qenë aq shumë forca ushtarake, rastësisht jam takuar dikur në mbrëmje sa më kujtohet mua me Thaçin e Selimin”.

Gjatë dëshmisë së tij, Selimi foli edhe rreth funksioneve që kishin Azem Syla, Jakup Krasniqi e Sokol Bashota në UÇK.

Për Sylën ai tha se nuk e ka ditur që ishte komandant i përgjithshëm, teksa për Krasniqin e Bashotën theksoi se në atë kohë ishin emëruar zëvendëskomandantë.

Intervistimi i Selimit vazhdon edhe të mërkurën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat