“Shtypja e përsëritur e shqiptarëve në Kosovën Lindore”/ Kryeministri Kurti i dërgon letër Kaja Kallas-it

Aktuale

“Shtypja e përsëritur e shqiptarëve në Kosovën Lindore”/ Kryeministri Kurti i dërgon letër Kaja Kallas-it

Nga: A.SH Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 18:12
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

Ai e ka informuar dhe e ka denoncuar “shtypjen e vazhdueshme të regjimit serb e Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

“Represioni i vazhdueshëm dhe sistematik i komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës qëndron në kundërshtim me vlerat evropiane e demokratike. Aktet e veprimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës janë antiteza e parimeve të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kërkon reagim e veprim urgjent nga Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare”, shkruan Kurti.

Postimi i plotë:

Përmes një letre drejtuar Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, e kam informuar dhe kam denoncuar shtypjen e vazhdueshme të regjimit serb e Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Shkelja e të drejtave të njeriut është e llojit politik, administrativ, ekonomik, kulturor e identitar, duke rrezikuar sigurinë dhe ekzistencën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Gjersa në Kosovë komuniteti serb gëzon të drejta e liri, e një shtet që po i integron në sferat shoqërore, shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen çdo ditë me diskriminim sistematik, pasivizim të adresave e spastrim etnik administrativ. Shqiptarët në Serbi janë të papërfaqësuar në institucione publike e ato shëndetësore e juridike, nuk iu ofrohen shërbimet të cilat iu takojnë, iu mohohet arsimimi në gjuhën e tyre, nuk iu njihen diplomat e nuk kanë të drejta e as liri themelore.

Mbi 10 për qind e qytetarëve shqiptarë janë fshirë nga listat e votuesve e nuk mund të ushtrojnë të drejtën themelore të votës. 30 deri në 70 për qind është niveli i papunësisë në zonat e banuara me shqiptarë, shumë herë më e lartë se mesatarja e vendit prej 12 për qind. Spitali rajonal në Vranjë nga mbi 1000 punëtorë i ka veç dy shqiptarë e në Medvegjë nga rreth 2000 punonjës komunalë veç 12 janë shqiptarë.

Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve përkrahet nga shteti atje. Simbolet kombëtare janë rreptësisht të ndaluara bashkë me shprehjen kulturore e artistike. S'ka integrim por terrorizim. Komuniteti i shqiptarëve nuk integrohet, por Beogradi tenton ta frikësojë. I kanë ngritur bazat ushtarake në Bujanoc, e cila është edhe ndër më të mëdhatë në vend, si dhe i kanë vendosur 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, specifikisht në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Caktimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga qeveria serbe përbën gjithashtu një kërcënim të madh për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke rrezikuar shpërnguljen masive dhe përsëritjen e traumave të së kaluarës.

Represioni i vazhdueshëm dhe sistematik i komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës qëndron në kundërshtim me vlerat evropiane e demokratike. Aktet e veprimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës janë antiteza e parimeve të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kërkon reagim e veprim urgjent nga Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat