Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike rezultatet e procesimit të votave në 99.53% të vendvotimeve.Lëvizja Vetëvendosje kryeson me një përqindje të konsiderueshme, ndjekur nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje është forca e parë politike në vend, duke marrë 40.89% të votave, që përkthehen në 340,541 vota. Pas saj, renditet PDK-ja me 22.05% të votave, ose 183,661 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 17.63% të votave, që përbëjnë 146,815 vota. Ndërkohë, Koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-Intelektualët është në vendin e katërt me 7.46% të votave, ose 62,111 vota.
Megjithatë, këto shifra janë preliminare dhe nuk përfshijnë votat e personave me aftësi të kufizuara, votat me kusht dhe ato të diasporës.
Ndërkohë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se numërimi i votave të subjekteve politike ka përfunduar më 9 shkurt, por rezultatet për disa vendvotime nuk janë publikuar ende. Sipas Elezit, arsyeja është se materialet zgjedhore janë vendosur gabimisht brenda kutive të votimit, duke pamundësuar përditësimin e të dhënave deri në fillimin e numërimit të votave për kandidatët.
Aktualisht, janë përditësuar të dhënat nga 2,533 vendvotime (99.53%).