Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka reaguar Qeverisë Kurti, specifikisht kryeministrit, për siç thotë keqinterpretimin e qëllimshëm të raportit për indeksin antikorrupsion.
Ajo shkruan se Kosova s’ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit e as në rritjen e transparencës, dhe renditja në pozitën 73 sipas saj, nuk tregon përmirësim të Kosovës në këtë betejë.
”Duke i falënderuar të gjithë qytetarët që votuan Lidhjen Demokratike të Kosovës, ju njoftoj se pavarësisht rezultatit, unë do të vazhdoj të demaskoj propagandën, ashtu siç e kam bërë deri me tani.
Kryeministri në detyrë, tash e 5 vite, me qëllim e keqinterpreton raportin e ”Transparency International”.
Kosova s’ka bërë progres as në luftën kundër korrupsionit dhe as në rritjen e transparencës, SEPSE gjatë një mandati janë nënshkruar 2123 kontrata me negociim. Ky fenomen veç luftë kundër korrupsionit dhe transparencë nuk është.
Ndërsa renditja në pozitën 73, sipas ”Transparency International”, nuk tregon përmirësimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit. Renditja 73/180 tregon se ku qëndron Kosova në raport me 180 shtete të tjera që janë pjesë e kësaj matjeje, ku disa kanë regres, e disa kanë progres. Kjo do të thotë se, nëse të tjerët përkeqësohen dhe Kosova nuk ka asnjë përmirësim, renditja e saj përmirësohet. Shpesh ndodhë të renditesh më mirë, por jo pse ke bërë diçka, por sepse të tjerët kanë pasur regres dhe anasjelltas.
Ndërsa indeksi që tregon përmirësim është ai që shënon 44 pikë (2024).
Sipas ”Transparency International”, Kosova ka pasur 39 pikë në 2017, 41 në 2023 dhe 44 pikë në 2024. Pra, për 8 vite progresi është vetëm 5 pikë, jo siç e interpreton Kurti “10 vende për një vit e 31 vende për një mandat”.
Me foto-fakte shiheni progresin! Këtu vetëm për krekosje nuk ka vend.
Qytetarët meritojnë ta dinë të vërtetën, dhe përgjegjësia për ta ofruar atë i takon secilit që ka kërkuar dhe marrë besimin e tyre.
Unë këtu jam!”.