Vëzhguesit e BE-së: Zgjedhjet në Kosovë të qeta e konkurruese

Aktuale

Vëzhguesit e BE-së: Zgjedhjet në Kosovë të qeta e konkurruese

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 20:12
Tryeza

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi sot numërimin e votave të hedhura të dielën për kandidatët e partive politike që garuan për ulëse në parlamentin e Kosovës, ndërsa pritet procesi i numërimit të votave për subjektet politike, të hedhura nga diaspora në përfaqësitë diplomatike të vendit, atyre që janë dërguar me postë si dhe atyre të hedhura me kusht.

Ndërsa vazhdon numërimi i votave po vazhdojnë edhe vlerësimet rreth procesit të zgjedhjeve që sipas Misionit të vëzhguesve të Bashkimit Evropian, ishte i qetë dhe me një fushatë konkurruese.

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve tha se ka vërejtur përdorim të gjuhës nxitëse gjatë fushatës para zgjedhjeve dhe sulme të ashpra verbale ndaj kundërshtarëve në tubimet dhe debatet televizive.

“Kjo u pasqyrua edhe në mjedisin e ngjeshur të fushatës online dhe në mediat sociale. Vëmë re me shqetësim gjuhën negative të partisë në pushtet kundër mediave dhe gjyqësorit. Bojkotimi i mediave të veçanta dhe i debateve kontribuoi gjithashtu në zvogëlimin e mundësive të votuesve për të bërë një zgjedhje të mirë informuar”, tha shefja e këtij Nathalie Lloizo.

Udhëheqësja e ekipit të Parlamentit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve Marta Temido tha se autoritetet e Serbisë kanë ndërhyrë në zgjedhje duke mbështetur një nga gjashtë partitë politike të serbëve të Kosovës.

“Disa nga bashkëbiseduesit tanë kanë raportuar edhe për trysni ndaj votuesve serbë të Kosovës. Mungesa e pluralizmit të vërtetë politik brenda komunitetit serb nuk është e shëndetshme për demokracinë dhe nuk mund të injorohet. Të gjithë votuesit e Kosovës meritojnë standardet më të larta demokratike”, tha ajo.

“Gjatë fushatës, kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjes së të dërguarit të posacmë amerikan Rick Grenell në rrjetet sociale teksa kritikonte kryeministrin Albin Kurti. Kjo mund të përshkurhet si një ton shumë jodiplomatik”, tha zonja Lloizo duke iu referuar postimeve në rrjetin social X të zotit Grenell, sipas të cilit marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë në pikën më të ulët, ndonëse qeveria e Kosovës ngulë këmbë se ato janë shumë të mira.

Sipas vëzhguesve të Bashkimit Evropian, legjislacioni i Kosovës ka nevojë për harmonizim të mëtejshëm lidhur me pjesëmarrjen e grave në zgjedhje. Sipas tyre kuota aktuale prej 30 për qind është respektuar por nuk ka çuar në përmirësim të ndjeshme në numrin e kandidateve. “Mjedisi i fushatës theksoi sfidat për pjesëmarrjen e grave, duke përfshirë sulmet verbale seksiste në debatet televizive dhe postimet negative në mediat sociale”, thuhet në vlerësimet e vëzhguesve evropian.

Vëzhguesit dhe analistët e zgjedhjeve nuk presin ndryshime thelbësore në rezultatet e zgjedhjeve dhe kjo imponon negociata për një koalicione që do të mundësonte formimin e qeverisë së re për të cilën duhen 61 vota në parlamentin prej 120 vendesh.

Deri tani lëvizja Vetëvendosje ka hedhur poshtë cdo mundësi bashkëpunimi me partitë opozitare duke theksuar se synon ta formoj qeverinë e re, ndërkaq dy partitë opozitare Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur gjithashtu kundër ndonjë koalicioni me partinë në pushtet por të hapura për negociata me partitë e opozitës.

Vëzhguesit shprehen të rezervuar mbi qëndrueshmërinë e një qeverie të re të përbërë qoftë nga lëvizja Vetëvendosje me pakicat, qoftë nga partitë opozitare duke theksuar se cilado qeveri që nuk përfshinë të paktën dy nga partitë kryesore shqiptare do të ishte një qeveri e brishtë, posaçërisht para proceseve më të mëdha që kërkojnë dy të tretat e votave në parlament, sic është zgjedhja e presidentit të ri vitin e ardhshëm./Voa

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat