Gazetari Gëzim Mekuli, ka reaguar ndaj raportimeve për vjedhje të votës.
Ai thotë se vota është arma më e fuqishme e qytetarit andaj edhe nuk duhet të preket.
Por, ai thotë se kur vota bëhet plaçkë, atëherë nuk ka më demokraci.
Shkrimi i plotë:
Kush po i vjedh votat atje?
Vota nuk është thjeshtë një copë letër; është arma më e fuqishme e qytetarit. Është vula e sovranitetit, është shpresa e kombit, është themeli i shtetit. Apo jo?
Por çka ndodh kur kjo armë plaçkitet? Kur ky zë shtjerret? Kur vota bëhet plaçkë tregu çfarë bëhet? Atëherë nuk kemi demokraci. Kemi krim! Kemi hajni! Kemi dallavere! Kemi një sulm të hapur kundër vet popullit!
Të nderuar,
Votën nuk e vjedhin politikanët; ncuk, atë e vjedhin mafiozët!
Kush je ti që guxon të manipulosh zgjedhjet more? Kush je ti që blen vota more? Kush je ti që frikëson qytetarët more? Ti që falsifikon rezultate, ti nuk je më politikan. Ti je kriminel! Ti je hajdut! Ti je tradhtar i familjes sate i popullit tënd! Pikë!
Vjedhja nuk është thjesht një "gabim politik a teknik". Kjo nuk është një "lojë e ndyrë zgjedhore". Kjo është mafiozitet, maskarrallëk!
Nuk është korrupsion i zakonshëm vjedhja e votës Nuk është thjesht hajgare kjo punë. Ncuk! Është krim kundër shtetit! Vjedhja e votës duhet të ndëshkohet si një vrasje politike, sepse vrasja e votës është vrasje e kombit! Dhe ju, ju që po e vidhni, po e pushkatoni Kosovën!
Në çdo vend ku ekziston drejtësia, vjedhja e zgjedhjeve ndëshkohet rëndë. Ata që vodhën zgjedhje, u rrëzuan. Hajdutët që menduan se mund të blejnë popullin, u poshtëruan nga vetë populli.
Kush mendon se mund të luajë me vullnetin e qytetarëve dhe të shpëtojë, është HAJVAN dhe i verbër.
Vota nuk është plaçkë e mafias politike! Vota nuk është Bitcoin për tregti! Ncuk! Vota është dinjitet! Vota është amanet! Pikë! Pikë! Pikë!
Sot kemi institucione, kemi polici, kemi ushtri! Por unë pyes; a kemi drejtësi? Apo gjykatat janë të kapura nga ata që i shërbejnë mafias politike? A guxon drejtësia të ndëshkojë hajnat e zgjedhjeve? A guxon të veprojë kundër atyre që duan ta kthejnë Kosovën në pronën e tyre private e në Serbi? Të presim e të shofim.
Të nderuar qytetarë,
Ne kërkojmë hetime të thelluara. Ne kërkojmë ndjekje penale për këdo që është përfshirë në vjedhjen e votës. Ky nuk është vetëm një krim kundër ligjit; është një krim kundër vetë Kosovës.
Konsekuent deri në fund; nëse e lejojmë të ndodhë hajnia, atëherë kemi pranuar të jetojmë si skllevër të një bande politikanësh dhe gazetarësh të korruptuar.
Po e përsëris; vota nuk është vetëm një letër! Ncuk! Vota është nderi i një kombi! Vota është gjaku i Adem Jasharit! I familjes Jashari! I Ukshin Hotit! I Fehmi Aganit! I Shefki Popovës! I Fehmi e Xhevë Lladrovcit! Vota është gjaku i Mon Balajt e Arben Xheladinit! Është gjaku i fëmijëve të Kosovës që u vranë e u poqën vetëm pse ishin shqiptarë!
Dhe gjaku nuk vidhet! Dhe gjaku nuk shitet!