Haradinaj akuzon Qeverinë Kurti për kapje të institucioneve të pavarura dhe dështimin e KQZ-së

Aktuale

Haradinaj akuzon Qeverinë Kurti për kapje të institucioneve të pavarura dhe dështimin e KQZ-së

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 20:45
Ramush Haradinaj

Kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë Kurti, duke e quajtur “kapje të institucioneve të pavarura” dështimin e sistemit të KQZ-së në zgjedhjet parlamentare.

Madje ai edhe i ka akuzuar për manipulim të rezultateve dhe angazhimin e militantëve partiakë në pozita kyçe.

Ai kërkon masa urgjente nga drejtësia për hetimin e manipulimeve dhe mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

”Kapja e institucioneve të pavarura nga qeveria Kurti ka arritur kulmin me dështimin e plotë të sistemit të KQZ-së në zgjedhjet parlamentare. Për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, rezultatet preliminare të zgjedhjeve nuk dihen as pas 24 orëve. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e zëvendësimit të kuadrove profesionale me militantë partiakë dhe angazhimi i kompanive të teknologjisë informative përmes tenderëve të dyshimtë njëburimor.

Raportimet që po marrim nga terreni dëshmojnë për një skemë të organizuar të manipulimit të rezultateve zgjedhore. Përmes kontrollit politik të KQZ-së dhe ‘sistemit të dështuar teknik’ i cili po ndodh qëllimshëm, po tentohet të ndryshohet vullneti i qytetarëve. Kjo është goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe vlerave për të cilat kemi luftuar.

Ne qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të votës së lirë dhe sistemit demokratik. Nuk do të lejojmë që vota e qytetarëve të tjetërsohet përmes skemave manipulative. Do të përdorim të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e sovranit.

I bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që me urgjencë të marrin masa dhe të hetojnë manipulimet e deritashme dhe të parandalojnë degradimin e mëtejshëm të procesit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat