Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, Loiseau: Vuçiq bëri presion

Aktuale

Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, Loiseau: Vuçiq bëri presion

Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 10:28
Nathalie Loiseau

Serbia ka ndërhyrë në procesin zgjedhor të Kosovës, deklaron shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EOM), Nathalie Loiseau. Ajo thotë se presidenti serb, Alaksandar Vuçiq, dhe zyrtarë të tjerë nga Beogradi, kanë bërë presion që të votohet një listë e caktuar.

Në një intervistë, Loiseau kritikon edhe emisarin amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell për deklarimet e tij gjatë fushatës zgjedhore në vend.

Grenell pati shkruar se “Retorika e Kurtit duke pretenduar se është afër SHBA-së, është plotësisht e rreme”. “

Mos u mashtroni”, kishte thënë ai.

Loiseau i cilëson këto deklarata jo vetëm si ndërhyrje por edhe “shokuese”.

Loiseau: Serbia ka ndërhyrë në procesin zgjedhor të Kosovës

“Ka aspekte pozitive, së pari ka shumëllojshmëri listash, duke përfshirë edhe në veri, kështu që ka shumë mundësi për votuesit, dhe votuesit që vijnë jashtë Kosovës, do të mund të votojnë lehtësisht si në zgjedhjet e mëparshme, pavarësisht thashethemeve. Do të isha më negative në lidhje me raportet për presionet që vijnë nga Serbia për të votuar për një listë të caktuar. Kemi dëgjuar zyrtarë të Serbisë që mbështesin një listë të caktuar, e cila është ndërhyrje në procesin zgjedhor. Po ashtu, ishim dëshmitarë të ndërhyrjes nga dërguari i posaçëm i SHBA-ve, [Richard]Grenell, dhe kjo është e pafat, shokuese dhe jo diplomatike. Kemi dëgjuar rregullisht presidentin [serb] Vuçiq, por edhe anëtarë të tjerë nga qeveria ose parlamenti i Serbisë, duke u thënë votuesve se duhet të votojnë për një listë të caktuar, dhe kjo nuk duhej të kishte ndodhur”, deklaron ajo.

Ajo kritikon partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore.

Loiseau: Tonaliteti i fushatës ndonjëherë ishte mjaft i ashpër

“Kishte një shumëllojshmëri listash, që natyrisht është e mirë, duke përfshirë shumicën e komunave dhe parti politike joshumicë. Tonaliteti i fushatës ndonjëherë ishte mjaft i ashpër. [Kishte] Më shumë kritikë të kundërshtarit sesa promovim të programit tënd. Ishte veçanërisht e ashpër për kandidatet gra, në takime, tubime dhe online. Për këtë më vjen shumë keq, sepse është një pengesë për gratë që të hyjnë në politikë, dhe nuk duhet të jetë kështu. Media bënë më të mirën për të intervistuar kandidatët nga parti të ndryshme politike, por siç e dimë të gjithë, partia në pushtet vendosi të mos marrë pjesë në disa debate ose të shkojë në disa intervista në disa media, dhe është një turp, sepse duhet të sigurojmë që votuesit të kenë një mundësi të informohen dhe të dëgjojnë gjithçka, dhe për partitë e vogla mbulimi mediatik nuk ishte i barabartë”, shprehet ajo.

Shefja e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, ndër të tjera, thotë se personat me aftësi të kufizuara kanë pasur problem qasjen në disa qendra votimi.

Loiseau: Kishte probleme me qasjen në disa qendra votimi

“Pamë që votuesit mund të votonin, megjithatë kishte probleme me qasjen në disa qendra votimi për votuesit me aftësi të kufizuara. Kishte shumë pasiguri për mënyrën se si të zbatohej ligji zgjedhor në lidhje me votimin me asistencë, sepse nëse shikoni ligjin, nëse kërkoni votim me asistencë, duhet të paraqisni një certifikatë, dhe nuk kam parë asnjë qendër votimi që të ketë kërkuar një certifikatë. Ndoshta kjo duhet të sqarohet. Por, atmosfera ishte shumë e qetë, dhe njerëzit ishin vërtet të interesuar që demokracia të jetë diçka e gjallë në Kosovë”, përfundon ajo.

Mbi 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian janë angazhuar ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt, për çka Loiseau konsideron se ishte proces paqësor.

Kosova mbajti të dielën zgjedhjet e para të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.

Të drejtë vote në Kosovë kanë pasur mbi 1 milion e 970 mijë votues, ndërkaq numri i qytetarëve që kanë votuar më 9 shkurt është mbi 799 mijë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat