Kosova ka marrë pjesë në një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, ku liderë dhe profesionistë të fushës u mblodhën në Paris për të diskutuar zgjidhje dhe inovacione që do të transformojnë botën.
Në këtë samit për inteligjencën artificiale, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.
“Kosova në hartën globale të diskutimeve për inteligjencën artificiale. Liderë nga mbarë bota dhe profesionistë të fushës u mblodhën në Paris për të diskutuar zgjidhje që do të transformojnë botën, duke e vënë teknologjinë në shërbim të njerëzimit”, ka shkruar Osmani.
Presidentja theksoi rëndësinë e këtij diskutimi, duke deklaruar se teknologjia po udhëheq një revolucioni global dhe Kosova duhet të jetë e gatshme të përfshihet në këtë transformim të madh.
“Teknologjia po i prinë një revolucioni të paparë global dhe Kosova duhet të jetë e gatshme të jetë pjesë e këtij transformimi”, u shpreh Osmani.
Ajo theksoi se është e rëndësishme që vendet si Kosova të kontribuojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron ky zhvillim për të përmirësuar jetën e qytetarëve.