​KQZ: Në 14 komuna tjera fillon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

Aktuale

​KQZ: Në 14 komuna tjera fillon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 17:30
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot në orën 16:00 ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike në 14 komuna të tjera.

Nga Qendra Komunale e Numërimit në Prishtinë, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi theksoi se përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, do të bëhet edhe verifikimi i votave të subjekteve politike, verifikim i cili është paraparë edhe me akte nënligjore të miratuara nga ana e KQZ-së.

“Në qendrat komunale të numërimit përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputet, do të behët edhe verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike. Ky verifikim, është paraparë edhe me aktet nënligjore, të cilat janë të miratuara nga ana e KQZ-së, qysh para shpalljes së zgjedhjeve dhe sigurisht se kjo do të heq të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike”, theksoi Elezi.

Lidhur me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe pjesëmarrjes, të cilat janë të ngarkuara në platformën e KQZ-së, Elezi tha se rreth pasaktësive që janë evidentuar, KQZ-ja është duke u ndërmarrë me të gjitha veprimet për të bërë përmirësimet e nevojshme.

“Lidhur me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe pjesëmarrjes të cilat janë të ngarkuara në platformë dhe që gjatë këtyre ditëve janë evidentuar pasaktësi, KQZ njofton se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet, për të bërë përmirësimet e nevojshme dhe publiku do të njoftohet me kohë, lidhur me këto përditësime”, tha ai.

Gjatë ditës së djeshme, ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimin e votave të subjekteve politike, në qendra komunale të numërimit në komunat, Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh. Ndërsa, sot ka nisur edhe në qendrat komunale të numërimit në komunat Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut dhe Veriut, Skenderaj, Shtërpc, Viti, Vranidoll, Kllokot dhe Han të Elezit. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat