​PDK rikonfirmon angazhimin dhe vizionin për një Kosovë ma të mirë

Aktuale

​PDK rikonfirmon angazhimin dhe vizionin për një Kosovë ma të mirë

Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 19:27
Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e parë të Kryesisë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ku është vlerësuar pozitivisht fushata zgjedhore dhe është diskutuar mbi hapat e ardhshëm politikë të partisë.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka shprehur mirënjohje për angazhimin e Kryesisë, kandidatit për kryeministër Bedri Hamza, kandidatëve për deputetë, anëtarëve të partisë, strukturave dhe të gjithë mbështetësve që me punën dhe përkushtimin e tyre i kanë dhënë PDK-së rezultatin më të mirë ndër vite.

“Mbi 200 mijë qytetarë na kanë dhënë besimin e tyre, duke e konfirmuar Partinë Demokratike të Kosovës si forcë kryesore në skenën politike të vendit. Ky është një votëbesim i madh dhe një përgjegjësi që e marrim me seriozitet të plotë për të vazhduar misionin tonë për një Kosovë ma të mirë,” ka thënë Krasniqi.

Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka falënderuar kryetarin Krasniqi për mbështetjen gjatë fushatës, si dhe Kryesinë për përkushtimin dhe punën e palodhshme që ka sjellë këtë rezultat të rëndësishëm për PDK-në.

Krasniqi dhe Hamza kanë konfirmuar se çdo vendim politik i PDK-së do të merret me përgjegjësi nga organet drejtuese të partisë, duke u bazuar në interesin e qytetarëve dhe vizionin për një qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore.

Rezultatet preliminare të KQZ-së nga numërimi i 99.68 për qind të votave, tregojnë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.05 për qind ose 184 mijë e 282, ndërsa prin Lëvizja Vetëvendosje me 40.88 për qind ose 341.488.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) renditet e treta me 17.64 për qind ose 147 mijë e 366 vota. AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal renditet e katërta me 7.46 për qind ose 62 mijë e 287. Lista Serbe, e afërt me Beogradin, renditet e pesta me 4.53 për qind ose 37 mijë e 843 vota.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të formojë qeverinë e vetme, ndërsa opozita ka hedhur poshtë mundësinë e hyrjes në koalicion qeverisës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat