Në përvjetorin e tragjedisë së ortekut të Restelicës, banorët i vizituan përfaqësues të ministrisë së Mbrojtjes dhe pjesëtarë të FSK-së. Banorët thonë se dimri i atij viti fatmirësisht nuk u përsërit më kurrë.
Në Restelicë të Dragashit 13 vjet më parë, një ortek masiv u shkëput nga mali dhe rrafshoi tri shtëpi, duke ua marrë jetën 10 pjesëtarëve të familjes Reka.
Në përvjetorin e 13 të kësaj tragjedie që tronditi Kosovën dhe jo vetëm, koloneli i FSK-së, Milaim Musliu, u është rikthyer kujtimeve të asaj dite, kur i është dashur të intervenonte në Restelicë.
"Këtu ka qene një gyp i ujit, atë gypin e ujit u thash ushtareve që ta presin, e kemi pre në gjatësi diku 10 metra, e kemi përdorë për të dëgjuar ata që kanë qenë nën gërmadha, natyrisht ne nuk e kemi ditë gjuhën vendore, e kemi thirr një hoxhë, i kam thënë atij a ki mundësi me bisedua me ata që u dëgjoheshin zërat" , tha Milaim Musliu, kolonel i FSK-së
Përpjekjet e FSK-së, të policisë dhe të zjarrfikësve, ishin mbinjerëzore për të shpëtuar jetë, kujton zëvendësministëri i Mbrojtjes Shemsi Syla, që në atë kohë udhëhiqte njësitin e kërkim-shpëtimit.
“Vërtetë sa herë që vijmë këtu, na kujtohen ato përpjekje mbinjerëzore të secilit për me shpëtua jetra njerëzish, mbi të gjitha angazhimin e FSK ushtarëve të cilët, dhanë shpresë dhe ja arritën të sjellin në jetë Amserën, që është një shembull i dashurisë së jetës", tha Shemsi Syla, zëvendësministër i Mbrojtjes.
Banorët tregojnë se ai dimër i ashpër nuk është përsëritur më asnjëherë në këtë fshat të largët të Dragashit.
"Secili fshatar në zemrën dhe mendjen e tij i ka të freskëta përjetimet e asaj nate tragjike. Me gjithë këtë, jemi falënderues ndaj ushtrisë së Kosovës dhe shtetit për respektin e treguar ndaj nesh në çdo përvjetor", Hikmet Xhinxho, banor i Restelicës.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe banorët e Restelicës, nderuan viktimat e tragjedisë së ortekut, në varrezat e fshatit.